Casillas: Ecuria jonë nuk do të zgjasë përgjithmonë

17/12/2014 00:00

Portieri Iker Casillas qëndron i pashqetësuar në zonën e përcaktuar për intervistat televizive, ndalon, përshëndet disa njerëz dhe buzëqesh. Gjatë muajve të fundit ai është shfaqur mëse i lumtur, pasi po kalon momentet më të gëzueshme krahasuar me ato të dy sezoneve më parë.

Kjo është për shkak se ai është rikthyer sërish “gardian” i katërkëndëshit të Real Madridit dhe, kur gjithçka shkon më së miri, ashtu siç ndodhi edhe mbrëmjen e së martës në ndeshjen gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve, si të mos ndihet mirë?

Veterani “i rinuar” i “Los Blancos”-ve shprehet: “Nuk besoj se duhet të provoj ende ndonjë gjë. Ajo çfarë kam bërë në karrierën time është aty për t’u parë nga kushdo. Shpresoj që duke luajtur sa më shumë ndeshje të fitoj edhe besimin në vetëvete, për t’u rikthyer si më parë, gjë që më kënaq më shumë se çdo gjë tjetër. Ndihem shumë i lumtur”, tha portieri i madrilenëve.

Fitorja 4-0 ndaj Cruz Azulit të Meksikës ka ardhur në vazhdën e ecurisë së mrekullueshme të gjigantëve madrilenë, me 21 fitore radhazi, por një e tillë për të cilën duhet të falënderojnë edhe Casillasin, i cili priti penalltinë e ekzekutuar nga Gerardo Torrado, të 15-tën në karrierën e tij për klubin “mbretëror”, kur rezultati ishte 2-0 për Realin.

Nëse dalin fitimtarë edhe në finalen e së shtunës, ky do të ishte trofeu i 23-të në karrierën e Casillas, qoftë me klubin por edhe me kombëtaren. Por, ky është një kompeticion, për të cilin Iker nuk ka shijuar ende lavdinë.

“Kam luajtur në këtë turne 14 vjet më parë, por nuk mundëm ta fitonim, – thotë portieri për edicionin 2000, kur Reali doli i katërti dhe kur Casillas ishte vetëm 19 vjeç. – Shpresoj që ta fitoj këtë vit titullin, sepse do të ishte një tjetër foto suksesi në librat e historisë, timin dhe atë të Realit. Por, jam i ndërgjegjshëm se kjo ecuri nuk do të zgjasë përgjithmonë”.

Top Channel