Bojkoti i PD, negociatorët drejt një marrëveshjeje. Fleckenstein të enjten në Tiranë

17/12/2014 00:00

Negociatat ndërmjet mediatorëve të majtë e të djathtë të Parlamentit Europian për Shqipërinë janë pothuajse drejt fundit dhe një deklaratë për shtyp pritet të publikohet pasditen e sotme nga zyrat e dy eurodeputetëve, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan.

Burime konfidenciale rrëfyen për Top Channel se “dje pasdite, në përfundim të mbledhjes së PPE-së, u ra dakord mes palëve për vizitën njëditore të Fleckenstein, të enjten më 18 dhjetor, dhe ende po punohet mbi axhendën”.

Mësohet se zyra e socialdemokratit gjerman po punon ngushtë për këtë me të djathtin sllovak Kukan, i cili nuk pritet ta shoqërojë për këtë vizitë, “por ai mund të shkojë më vonë në Tiranë, mbase dhe gjatë javës së ardhshme, në varësi të ndjeshmërisë për situatën atje”, tregojnë të njëjtat burime pranë Parlamentit Europian.

Fleckenstein mbërrin pasditen e së enjtes në Tiranë dhe largohet të premten pasdite. Mësohet se axhenda e tij synon takimet me kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe shefin e opozitës Basha.

“Ai nuk shkon për teatër, por për të marrë vesh qëndrimet e palëve, mbi çfarë kërkohet e çfarë plotësohet”, rrëfeu një zyrtar europian për Top Channel. Raportuesi për Shqipërinë ka parashikuar të vizitojë vendin më 7 janar, në kuadër të raportit vjetor për Parlamentin Europian, dhe vizita e papritur e së enjtes bëhet në kuadër të nismës së tij për kapërcimin e bojkotit parlamentar, fort e mbështetur nga Kukan, siç pritet të theksohet dhe në deklaratën për shtyp.

Por, ndryshe nga drafti paraprak, në të nuk parashikohet të përmendet çështja e “dekriminalizimit të Parlamentit”. Gjuha e deklaratës është thjeshtuar dhe pritet të njoftojë vetëm mbi angazhimin e dy eurodeputetëve, ndërsa “shqetësimet dhe detyrat po rivlerësohen” dhe një platformë më e qartë premtohet pas takimeve në Tiranë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA