Tre vrasje në ditë, hakmarrja dhe krimi në familje trondisin vendin

16/12/2014 00:00

Një 50-vjeçar u ekzekutua të martën në prani të fëmijës. Ngjarja ndodhi në Kamëz, rreth orës 9 të mëngjesit. Qerim Skaçi po dërgonte në kopësht fëmijën e tij, kur një person ende i paidentifikuar e qëlloi dy herë me plumba në kokë.

Skaçi u dërgua nga kalimtarët e rastit në spital, por humbi jetën pa mbërritur atje, për shkak të plagëve të rënda. Autori i kësaj vrasjeje, që mendohet të jetë rreth të 30-ave, e pyeti fillimisht viktimën për emrin dhe më pas e ekzekutoi.

Për këtë arsye, policia mendon se ka të bëjë me një vrasje me pagesë. Viktima kishte preçedentë penalë, ndaj pista e vetme e hetimeve është ajo e hakmarrjes.

Policia shoqëroi dhjetëra persona të cilët ishin dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes dhe shpjegoi se ka marrë të dhëna në dobi të hetimit prej tyre.

Ekspertët mendojnë se verifikimi i automjetit me të cilën u largua vrasësi është edhe mundësia më e mirë për të zbardhur këtë ngjarje. Pothuajse në të njëjtën kohë me ngjarjen e rëndë në Kamëz, një tjetër u shënua në Fushë Prezë. Këtë radhë një krim në familje.

Gjyshi vrau nipin e tij dhe më pas veten. Krimi ka motive pronësise. Gjysh e nip kishin pasur konflikte të vazhdueshme për pronën e tyre. Konflikti i fundit i tyre ka qenë më i rënduar.

Ahmet Doda e goditi nipin e tij Rexhep disa herë në trup me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nga ekspertiza doli se 20-vjeçarit i ishin dëmtuar organet më jetike të trupit, ndaj dhe kishte gjetur menjëherë vdekjen.

Pas krimit, Doda, në gjendje depresive për aktin që kishte kryer, goditi edhe veten duke i dhënë fund jetës. Policia e gjeti trupin e tij në banesë.

Top Channel