Sanksionet ndaj Rusisë, Kerry: Kremlini po bën “lëvizje konstruktive”

16/12/2014 00:00

Duke folur nga Londra, ku ndodhet për një vizitë këtë të martë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është shprehur se Rusia ka bërë disa lëvizje konstruktive gjatë ditëve të fundit drejt reduktimit të mundshëm të tensioneve në Ukrainë.

Kerry tha se Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë të gatshme të lehtësojnë sanksionet ndaj Rusisë, nëse Presidenti Vladimir Putin do të ndërmarrë më tepër hapa drejt uljes së tensioneve në lindje të Ukrainës. “Më lejoni të them se Rusia ka ndërmarrë lëvizje konstruktive gjatë ditëve të fundit”, tha ai për reporterët.

“Ka disa tregues se kjo mund të jetë një linjë e negociatave të kontrollit, apo qetësia që ka rënë në disa zona, apo edhe tërheqja e disa personave të caktuar. Ka shumë të shenja të zgjedhjeve konstruktive që janë bërë dhe kjo gjë nuk mund të jetë tjetër, veçse ndihmuese”.

Kerry tha se qëllimi i sanksioneve ndaj Rusisë ishte t’i bëhej e qartë Putinit se mbështetja e Moskës ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës “ka të bashkëngjitura edhe kosto”.

Në lindje të Ukrainës, veçanërisht në zonat e kontrolluara prej separatistëve, është shënuar tashmë një natë e qetë, mes të hënës dhe të martës, pa ndonjë të shtënë, gjë që është vërejtur dhe shprehur edhe nga Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, i cili lavdëroi këtë qetësi “kaq të zgjatur” si një shenjë pozitive drejt planit të paqes.

I pyetur në lidhje me rënien e ndjeshme të rublës ruse, Kerry tha se “ka shumë faktorë të kombinuar, por sanksionet kanë pasur një synim të qartë për ta ftuar Presidentin Putin të bëjë zgjedhje të ndryshme”. Ai shtoi se rënia e monedhës ruse nuk vinte vetëm si pasojë e sanksioneve, por reflekton gjithashtu edhe faktorë të tjerë, si rënia e çmimit të naftës.

Kryediplomati amerikan shtoi se asnjë prej masave të ndërmarra kundër Rusisë nuk kanë pasur për objektiv dëmtimin e popullit rus, por “ata janë prekur prej zgjedhjeve që ka bërë vetë qeveria e tyre, gjë që ka sjellë këtë impakt”.

Rubla ka rënë me më shumë se 11 përqind përkundrejt dollarit gjatë së martës, në atë që rezulton si rënia më e theksuar brenda një dite të vetme, që prej krizës financiare ruse të viteve 1998.

Aneksimi i gadishullit të Krimesë, pjesë e Ukrainës, nga Moska në muajin mars dhe mbështetja e Kremlinit për separatistët e armatosur prorusë në rajonet lindore të Ukrainës kanë provokuar krizën më të thellë mes Rusisë dhe Perëndimit, që prej Luftës së Ftohtë.

Top Channel