Shishtavec, askush s’paguan energjinë: U faturuam aforfe

15/12/2014 00:00

Në kohën kur në Kukës energjia elektrike është duke u paguar në masë të madhe, banorët e fshatrave të komunës së Shishtavecit nuk kanë ndërmend të paguajnë faturat e prapambetura të energjisë. Sipas tyre, ato janë vënë aforfe, ndërsa situata e tyre ekonomike është e mjerueshme.

“Ne nuk kemi mundësi të pagujmë me 2 mijë lëkë asistencë në muaj. Unë jam edhe kryeplak i fshatit Kollovoc dhe një herë në dy javë kaloj në çdo familje, por në këtë mënyrë, siç na e kanë vënë thikën në kockë, ne nuk mund të gjejmë mënyrë të paguajmë”, shprehet kryeplaku.

“Çmimet abuzive që na kanë faturuar kanë nevojë për një transparencë, pastaj do ta paguajmë energjinë. Por, fillimisht duhet eliminuar njëherë fatura aforfe dhe rrëmujat në faturimin e energjisë elektrike”, shprehet një tjetër banor.

Kryetari i Komunës, Dilejman Nela, thotë se Shishtaveci ka qenë model deri në vitin 2007.

“Jemi një komunë që mbjellim shumë bimë mjekësore, por këtë vit edhe tregu i këtyre ka rënë. Kështu që, në përgjithësi, gjendja social-ekonomike e banorëve është e ulët dhe, nëse kësaj gjendjeje i shton edhe faturat e energjisë elektrike për t’u paguar si detyrim karshi shtetit, kuptohet që përkeqësohet edhe më shumë. Në fakt, ne kemi qenë model për pagesën e energjisë elektrike deri në vitin 2005-2007. Por me kalimin e KESH-it në CEZ, pati një ngërc dhe një sërë faktorësh që ndikuan në mosmbledhjen e faturave të energjisë, qoftë për organizimin e CEZ-it në atë kohë. Faturat e trashëguara sot kanë edhe kamatëvonesat, që kanë bërë efektin e vetë. Sot jemi përpara një situate emergjente, që një pjesë e banorëve nuk kanë mundësi pagese”, tha Dilejman Nela.

Komuna e Shishtavecit është një zonë e thellë malore me 5 mijë e 500 banorë, të cilët të vetmin burim jetese kanë kultivimin e patates dhe bimëve mjekësore, që viteve të fundit nuk kanë pasur treg shitjeje. Nga 1 mijë e 500 familje që ka kjo Komunë, rreth 438 trajtohen me ndihmë ekonomike të pjesshme.

Top Channel