NBA, Kobe Bryant kalon legjendën Michael Jordan

15/12/2014 00:00

Nxënësi ka lënë pas profesorin. Që nga dita e sotme, Kobe Bryant është pikëshënuesi i tretë më i mirë në historinë e NBA pasi kaloi 32 292 pikët e Michael Jordan. Pasi shënoi 26 pikë në fitoren e Los Angeles Lakers ndaj Minnesota Timberwolves, basketbollisti shkon tashmë në 32 310 pikë.

Para yllit të Lakers-ave gjenden vetëm Kareem Abdul-Jabbar (38 387) dhe Karl Malone (36 928).

Ndeshja në Target Center të Minneapolis nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte momenti kur Kobe Bryant do të kalonte rekordin e legjendës Michael Jordan, atij që konsiderohet lojtari më i mirë në historinë e basketbollit. Kjo sepse nuk thyhet çdo ditë rekordi i një lojtari si Jordan.

Duhet të jesh shumë i mirë. Dhe Kobe Bryant, është.

10 pikëshënuesit më të mirë në historinë e NBA:

1. Kareem Abdul Jabbar (38.387)
2. Karl Malone (36.928)
3. Kobe Bryant (32.310)
4. Michael Jordan (32.292)
5. Wilt Chamberlain (31.419)
6. Shaquille O’Neal (28.596)
7. Moses Malone (27.409)
8. Elvin Hayes (27.313)
9. Dirk Nowitzki (27.223)
10. Hakeem Olajuwon (26.946)

Top Channel