Erdogan kundër BE-së: Të shikojë punët e veta

15/12/2014 00:00

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan u është përgjigjur kritikave të Bashkimit Europian mbi bastisjen e fundit të bërë nga autoritetet turke në disa media vendase të njohura si mbështetëse të klerikut, Fethulah Gulen.

“Bashkimi Europian të shikojë punët e veta dhe mendimet që ka t’i mbajë për vete”, komentoi Erdogan kritikat e zyrtarëve europianë duke mohuar se aksionet po shkelin lirinë dhe të drejtat e medias.

Në deklaratën e lëshuar pas ngjarjes, shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Han shprehën se çdo lëvizje e këtij vendi drejt anëtarësimit në BE varet nga “respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut”.

Bastisjet dhe arrestimet, thuhet aty, janë të papajtueshme me lirinë e shtypit, një prej parimeve themelore të demokracisë.

“Arrestimet bien ndesh me të gjitha vlerat europiane. Ne presim që parimi i supozimit të pafajësisë të triumfojë dhe bëjmë thirrje për zbatimin e të drejtës së patjetërsueshme të një hetimi të pavarur dhe transparent”, thuhej në deklaratën e BE-së.

Të paktën 24 vetë u prangosën gjatë mësymjes së policisë ndaj gazetës më të shitur në vend, “Zaman”, dhe një stacioni televiziv, për të cilët thuhet të kenë lidhje të ngushta me klerikun e mërguar prej vitesh në Amerikë.

Dikur aleat i ngushtë i Erdoganit, sot Gulen akuzohet se po përpiqet të krijojë një shtet paralel brenda Turqisë. Vetë përkrahësit e ndaluar të liderit shpirtëror të lëvizjes “Hizmet” përballen me akuzat se kanë tentuar të marrin në dorë kontrollin e shtetit.

Operacioni u urdhërua nga vetë Erdogani, që pak ditë më parë u zotua të mposhtte “rrjetin e tradhtisë, duke e detyruar – siç tha, – që të paguajë”.

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht ndan bindjen se kleriku Gulen është orkestruesi i hetimeve për korrupsion të një viti më parë kundër personave të rëndësishën në rrethin e tij të ngushtë. Tri ministra dhanë atëherë dorëheqjen.

Por, edhe pse pas kësaj të gjitha akuzat u rrëzuan, armiqësia e Erdoganit për Gulenin mbeti e njëjtë, edhe pse kleriku mohon të ketë pasur gisht në organizimin e hetimit për mitmarrje.

Top Channel