
Me banorë të qarkut të Dibrës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndau shqetësimin e braktisjes së qytetarëve nga qeveria dhe thellimt të krizes në çdo cep të vendit.
Sipas dibranëve, me të cilët zoti Basha u takua, jetesa është shtrenjtuar shumë, disa shërbime janë bërë të papërballueshme, konsumi ka rënë dhe marrja e ushqimeve në listë nëpër dyqane është kthyer në një fenomen të zakonshëm.
“1.800 deri në 2.000 lekë e marrim litrin e naftës, 130 lekë është në Maqedoni. Ku është ulur nafta?! Për ne nuk është ulur as nafta dhe asgjë. S’ka subvencion, s’ka asnjë gjë. Jemi duke i hedhur prodhimet në përrua prapë”, u ankua një banor.
“Fëmijët e mi kanë bërë 200 kuintalë mollë, sot janë kalbur në shtëpi”, tha një tjetër.
“Këto mbifaturime na kanë ardhur. Ne nuk jemi fabrika që shpenzojnë nga 100 mijë lekë energji elektrike”, vijoi një tjetër.
“Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, shqiptarët janë braktisur nga kjo qeveri, që taksat i ka rritur, çmimet e naftës i ka rritur dhe po përgatit të rrisë çmimin e energjisë. Nuk e thotë. Thotë mesatarizim. Çfarë do me thënë mesatarizim?! Rrije apo ulje”, tha Basha nga ana e tij.
Në Peshkopi, pak vite më parë u hapën edhe disa degë të arsmit të lartë, por një vendim i qeverisë i mbylli këto degë dhe pas datës 31 mars studentët duhet të transferohen në Durrës ose Tiranë.
Për studentët, ky është një vendim i padrejtë dhe kryetari i Partisë Demokratike i nxiti të fitojnë të drejtën e tyre me protesta.
“Ne jemi përballë vendimit që duhet patjetër ta ndërpresim studimin, sepse ne nuk është se jemi këtu se s’kemi aftësi të studiojmë dhe në Tiranë apo në Durrës, por problemet ekonomike na kanë lënë në universitetin e Peshkopisë”, u ankua një prej studentëve.
“Kjo qeveri nuk do qytetarë të lirë, nuk do qytetarë të ditur, nuk do qytetarë të arsimuar, nuk do qytetarë me mendje të pavarura, do papagaj. Studentët, të paktën 2.000 vetë do përfundojnë në bulevard dhe do vish t’i shikosh çdo ditë”, tha Basha. Kreu i opozitës u shpreh se, studentët duhet t’i prijnë të gjithë qytetarëve me guximin e tyre dhe garantoi se PD-në do ta kenë në krah dhe në ballë të protestës tuaj.
Top Channel