INUK njofton fazën e dytë të aksionit në Pogradec

12/12/2014 00:00

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka njoftuar të premten se do të nisë së shpejti fazën e dytë të shembjes së objekteve pa leje në Pogradec.

Përmes një njoftimi për shtyp, INUK ka saktësuar se operacionet e ardhshme do të përqendrohen si në brendësi të qytetit ashtu edhe përgjatë liqenit.

Inspektoriati u ka bërë thirrje qytetarëve të Pogradecit që të marrin masat dhe të jenë të përgatitur kur të mbërrijnë ekipet për shembjen e godinave pa leje.

Një ditë më parë, drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici paralajmëroi vazhdimin e aksioneve në shkallë vendi, si në qendrat ashtu edhe në periferitë e qyteteve.

Bici u shpreh se askush nuk mund të pretendojë për prishje selektive në këtë aksion, që ka sipas saj për qëllim kthimin e hapësirave të munguara tek qytetarët.

Por edhe vetë qytetarët, shtoi kryeinspektorja, janë ndërgjegjësuar se nuk mund të ndërtojnë më pa leje, pasi dihet se ligji i ndëshkon të gjithë njëlloj.

Këto deklarata kryeinspektorja i bëri gjatë operacioneve të INUK për largimin e tendave që kishin bllokuar hapësira të ndryshme në kryeqytet.

Po në Tiranë, muajin e kaluar INUK shembi me eksploziv një pallat shumëkatësh të ngritur pranë Unazës së Re, pasi pronari i tij nuk zotëronte asnjë lloj dokumentacioni.

Top Channel