Viruset dhe bakteret kërcënojnë

11/12/2014 00:00

Kanceri nuk është armiku më i madh i shëndetit nëpër botë. Deri në 2050-n, ato që do të vrasin më tepër se sa sëmundja e frikshme, do të jenë viruset e bakteret.

Nëse nuk merren masa serioze në këtë drejtim, çdo vit infeksionet rezistuese ndaj mjekimit do të marrin 10 milionë jetë njerëzish më shumë, se sa vdesin aktualisht nga kanceri. Sot fajësohen për të paktën 700.000 vdekje në vit.

Studimi i realizuar në Britaninë e Madhe tregon gjithashtu se reduktimi i popullsisë dhe impakti i problemeve të shëndetit do ta tkurrë prodhimin ekonomik botëror me 2 deri në 3.5%. Hartuesit e tij dolën në përfundimin se ndikimin më të madh do ta kenë “Esherikia Coli”, malarja dhe tuberkulozi.

Në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, rezistenca antimikrobeve shkakton të paktën 50.000 vdekje në vit dhe, nëse nuk i vihet fre fenomenit, deri në 2050-n kjo shifër do të rritet me shumëfish. Vendet që parashikohen të preken më shumë do të jenë Brazili, Rusia, India, Kina, Meksika, Nigeria e Turqia.

Ekipi i ekspertëve tani do të shqyrtojë se çfarë masash duhet të ndërmerren për shmangien e një krize të tillë, duke nisur që nga mundësia e ndryshimit të medikamenteve, me qëllim uljen e rezistencës ndaj tyre, prodhimin e ilaçeve të reja e deri te nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar, sa i takon përdorimit të mjekimeve te njerëzit dhe kafshët.

Top Channel