Reagon drejtori i CIA-s, Brennan: Përgjithësisht, kemi zhdukur frikën për sulme të tjera

11/12/2014 00:00

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, John Brennan, tha gjatë një deklarate të së enjtes se shumë prej metodave të hetimit të agjencisë pas sulmeve të 11 shtatorit ishin “të neveritshme”, por në përgjithësi ishte ai program hetimi i implementuar pas sulmeve terroriste, që ofroi informacione të domosdoshme për të shpëtuar jetë njerëzish.

Raporti i ashpër i Senatit, i publikuar vetëm 2 ditë më parë, thoshte se metodat “brutale” të përdorura, si tortura me ujë dhe privimi nga të fjeturit nuk ishin aspak efektive. Ndërsa po sot, ish-zëvendësPresidenti republikan Dick Cheney, tha se raporti ishte “me të meta të rënda” si dhe “një punë e tmerrshme”.

Duke folur nga selia e CIA-s, Brennan pranoi se disa oficerë kishin vepruar përtej autoriteteve zotëruese dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Por, ai theksoi se CIA “ka bërë shumë gjëra pozitive”, në një kohë kur ende “nuk kishte përgjigje të thjeshta” dhe kur ende mbizotëronte frika për të tjera sulme nga Al Kaeda.

Senatori demokrat në largim, Mark Udall, i ka bërë thirrje Brennanit të japë dorëheqjen, duke cituar ndërhyrjet nga CIA në përgatitjen e raportit të Senatit.

Një përmbledhje e raportit të plotë të klasifikuar, thoshte se CIA kishte ndërmarrë hetime “brutale” dhe “inefektive” ndaj të dyshuarve të Al Kaedës, përgjatë viteve që pasuan sulmet e 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, për të cilat ishin mashtruar zyrtarë të tjerë mbi atë që po ndodhte realisht.

Informacioni që u mblodh nga CIA, duke përdorur “teknika të zgjeruara të marrjes në pyetje”, dështuan të siguronin të dhëna të nevojshme për të shmangur ndonjë kërcënim, thoshte raporti.

Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje gjithashtu për ndjekje penale të të gjithë zyrtarëve amerikanë, të përfshirë gjatë programit të viteve 2001-2007.

“Si çështje e ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara janë të detyruara t’i nxjerrin përgjegjësit përpara drejtësisë”, tha Ben Emmerson, raportues special i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut dhe për Antiterrorizmin, në një deklaratë të lëshuar nga Gjeneva. Ai tha se ka pasur “një politikë të pastër, të orkestruar nga nivelet më të larta”.

Shanset për të ndjekur penalisht anëtarë të administratës Bush janë të pakta, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ka zhvilluar dy hetime për keqtrajtim të të burgosurve dhe nuk ka gjetur prova të mjaftueshme.

Top Channel