Raporti mbi CIA-n, presidenti i Afganistanit zotohet se do të hetojë dhunën

11/12/2014 00:00

Presidenti i Afganistanit, Asraf Ghani është futur në mesin e shumë liderëve botërorë që kanë dënuar raportin e fundit mbi praktikat torturuese të CIA-s ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Ai ka thënë se taktikat “brutale” të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm ‘janë një shkelje e të gjitha normave të pranueshme të të drejtave të njeriut në botë’.

Në një konferencë për shtyp gjatë ditës së mërkurë Asraf Ghani, i cili u zgjodh presidenti i Afganistanit në muajin shtator e ka cilësuar raportin “shokues”. “Nuk ka justifikime për akte të tilla të torturimit të njerëzve në botë”, ka thënë Ghani. Ai është zotuar se do të hetojë dhunën e ushtruar mbi shumë afganë në qendrat e paraburgimit të Shteteve të Bashkuara.

Të mërkurën, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se të burgosurit ishin larguar nga burgu Parwan në bazën ajrore Bagram, duke sjellë edhe fundin e operacionit të Shteteve të Bashkuara pas më shumë se një dekade të luftës.

Zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Myles Caggins, tha për BBC se të gjithë të burgosurit që mbaheshin në Bagram ose ishin riatdhesuar ose janë transferuar në qendrat e paraburgimit në Afganistan. Bagram është një nga vendet e identifikuara në raportin e publikuar këtë javë të Senatit të SHBA-ve.

Ndërkohë, ish-presidenti i Polonisë ka pranuar publikisht, për herë të parë, se në vendin e tij CIA kishte ngritur një burg sekret. Aleksander Kwasniewski u shpreh se ai i kishte bërë presion Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund marrjes në pyetje me metodat më brutale të të dënuarve në vitin 2003. “Unë i thashë Bushtit se ky bashkëpunim duhet të marrë fund dhe ai reagoi”, ka thënë Kwasniewski për mediat lokale polake.

Të mërkurën, edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier komentoi raportin e bërë publik. Ai e cilësoi atë si të papranueshëm dhe një gabim serioz. Por Steinmeier vlerësoi presidentin Obama për lëshimin e informacionit, duke e quajtur një kthesë të qartë nga paraardhësi i tij.

Top Channel