Shtetet perëndimore rrisin pranimin e refugjatëve sirianë

10/12/2014 00:00

Agjencia e Refugjatëve në OKB ka thënë se vendet perëndimore kanë premtuar se do të rrisin numrin e refugjatëve sirianë të cilët do t’i pranojnë në shtetet e tyre, ku pritet që në këto shtete të vendosen deri në 100 mijë sirianë.

Njoftimi është bërë gjatë ditës së martë nga UNHCR në një takim me vendet anëtare në Gjenevë.

Shumica e refugjatëve sirianë, rreth 3 milionë, janë vendosur në Liban, Turqi dhe në Jordani, ndërsa vetëm 62 mijë janë vendosur në vendet perëndimore.

Angazhimi i këtyre shteteve për të pranuar më shumë refugjatë erdhi në fund të një konference, gjatë së cilës organizatat e ndihmës, të tilla si “Oxfam” dhe Save the Children, i bënë thirrje vendeve të pasura të pranojnë të paktën 5% ose 180 mijë refugjatë, të cilët janë më të rrezikuarit në Siri.

Teksa përshëndetën këtë iniciativë të vendeve perëndimore, përfaqësues të UNHCR u shprehën se kishin shpresuar që numri të ishte edhe më i lartë, duke pasur parasysh vuajtjet që po kalon populli sirian nga sëmundjet dhe traumat e luftës.

SHBA, Britania e Madhe dhe shtetet e pasura të Gjirit nuk kanë dhënë shifra konkrete të numrit të refugjatëve që do të pranojnë. SHBA dhe Britania e Madhe janë shprehur se do të vazhdojnë të mbështesin shtetet fqinje të Sirisë, të cilat janë duke mbajtur edhe barrën më të madhe të krizës së refugjatëve. Por Libani dhe Jordania prej muajsh janë shprehur se nuk kanë mundësi të pranojnë më shumë refugjatë.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit e OKB-së ka rikthyer një program ushqimor për refugjatët sirianë, i cili ishte pezulluar më 1 dhjetor. Ndihmat ushqimore për rreth 1.7 milionë sirianë në Jordani, Turqi dhe në Egjipt u ndalua për shkak të mungesës së financimit. Por zyrtarë nga Programi Botëror i Ushqimit thanë se kanë siguruar rreth 80 milionë dollarë përmes një fushate në internet për mbledhjen e fondeve.

Top Channel