SHBA, konsensus për shpenzimet e qeverisë federale, shmanget ngërçi

10/12/2014 00:00

Udhëheqësit e Kongresit amerikan kanë arritur një marrëveshje për faturën prej 1,1 trilionë dollarë shpenzimesh, përpara se sa të afronte afati kanosës përfundimtar i mbrëmjes së të enjtes.

Konsensusi i arritur do të shmangë kështu një tjetër qeveri jashtë operimi, duke financuar kështu qeverinë federale të Amerikës deri në shtator të vitit 2015.

Projektligji u dakordësua nga liderët e Kongresit dhe pritet të miratohet në Kongres këtë javë. Edhe pse ka ende mosmarrëveshje mbi fondet e lidhura me emigracionin, që kërkohen nga Presidenti Barack Obama, paratë shtesë të kërkuara prej tij për të forcuar sigurinë kufitare të SHBA-ve, kërkesë që u bë nga Presidenti përmes një urdhri ekzekutiv kontrovers gjatë muajit të kaluar, janë të përfshira në shpenzime.

Republikanët, të cilët siguruan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, mund t’i vendosin shpenzimet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, përgjegjës edhe për mbikëqyrjen e emigracionit, në një afat kohor më të shkurtër, deri sa konservatorët të marrin formalisht “mbretërimin” muajin e ardhshëm.

Projektligji duhet të miratohet përpara afatit përfundimtar të shpenzimeve, ditën e enjte, teksa ai pritet të përfshijë edhe financimet e kërkuara nga Obama për të luftuar kundër përhapjes së Ebolas në Afrikën Perëndimore.

Top Channel