BE, diplomatët takim me de Misura: Më shumë angazhim ndaj ISIS

10/12/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian takojnë në mesin e dhjetorit në Bruksel të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Staffan de Misura, me një synim të qartë: T’i jepet një impuls i ri luftës kundër Shtetit Islamik e të gjenden rrugët për rifillimin e negociimit të paqes në Siri.

Pohimin e bëri shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, pak pasi vizitoi një kamp refugjatësh pranë qytetit jugor turk, Gaziantep.

“Të dielën dhe të hënën do të zhvillojmë një takim, ku do të shohim se si mund të koordinohen më mirë, nga njëra anë lufta kundër ISIS-it, dhe nga ana tjetër mënyrat për rinisjen e procesit politik, që do të çojë drejt një zgjidhjeje të konfliktit në Siri”, tha Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme, BE.

De Misura ka zhvilluar dhe një seri takimesh me përfaqësues të opozitës siriane, për të diskutuar propozimin e armëpushimit në Aleppo. Mogherini kryesoi në Turqi një delegacion të nivelit të lartë, vizita dyditore e të cilit erdhi në një kohë ftohjeje të marrëdhënieve mes bllokut dhe Ankarasë.

Beteja kundër xhihadistëve ishte një prej çështjeve më të rëndësishme në axhendën e kryediplomates europiane. Turqia, që ndan kufijtë me Sirinë dhe Irakun dhe është pikë kyçe transporti mes këtyre vendeve dhe BE-së, shihet nga Brukseli si vend strategjik për frenimin e numrit në rritje të europianëve, që i bashkohen grupit militant të Shtetit Islamik.

Ky është një nga faktorët e pakënaqësisë dhe tensioneve. Anëtarët e bllokut kanë kërkuar për një kohë të gjatë bashkëpunimin e autoriteteve turke, i cili erdhi me shumë vonesë. Ankaraja vetë i përgjigjet kritikave me pretendimin se BE-ja ka dështuar në përpjekjet për të ndalur qytetarët e tyre, nga bashkimi me islamikët, dhe nuk ka shkëmbyer informacione me shërbimet turke të zbulimit.

Top Channel