Satyarthi: Apatia, pengesa më e madhe për skllavërimin e fëmijëve

09/12/2014 00:00

Apatia është pengesa më e madhe për të eliminuar punën e detyruar për fëmijët, ndaj dhe botës i nevojitet një edukim laik për të reduktuar intolerancën. Kështu është shprehur fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Kailash Satyarthi, këtë të martë, teksa ka mbërritur në Oslo për t’iu dorëzuar një ditë më pas vlerësimi.

Sipas Satyarthit, problemi nuk është vetë feja, por njerëzit që fshihen pas feve për përfitime ekonomike apo politike. Duke folur përpara reporterëve, 60-vjeçari nga India tha: “Edukimi sjell më shumë tolerancë mes shoqërive, sjell paqe, vëllazëri gobale dhe respekt të përbashkët për gjithsecilin”.

“Duhet të kemi një edukim të orientuar më shumë drejt vlerave njerëzore”, shprehet Satyarthi, i cili fitoi çmimin prestigjioz të këtij viti, së bashku me adoleshenten nga Pakistani, Malala Yousafzai, për luftën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre për edukim.

Kombet e Bashkuara përllogarisin se rreth 150 milionë fëmijë në mbarë botën përfshihen në mënyrë rutinë në punë të pagueshme ose jo, ndërkohë që fëmijët e vendeve afrikane, nën shkretëtirën e Saharasë, janë ata që ndodhen më në rrezik. Rreth 1/4-ta e tyre, mes moshës 5 dhe 15 vjeç, janë të detyruar të punojnë kundër dëshirës.

“Vështirësia e vetme dhe më e madhe ka qenë apatia, – tha Satyarthi. – Njerëzit janë duke u bërë gjithnjë e më shumë materialistë dhe më shumë konsumatorë”.

Ai shton se ka një mungesë dhembshurie anembanë botës për të varfërit dhe për shoqërinë më vulnerabël, të cilëve iu mungojnë mjetet dhe fuqia për të ndihmuar veten e tyre.

Edukimi ka qenë një çështje madhore në Indi, që kur qeveria nacionaliste Hindu erdhi në pushtet në maj, teksa kritikët shprehen për një lëvizje për të mësuar superioritetin e vlerave hindu dhe mitologjisë, në dëm të rreptësisë dhe saktësisë akademike, duke shkuar kështu kundër parimeve të laicitetit, që mbizotëron në Indinë moderne të shumë besimeve.

Malala, e cila u qëllua në kokë nga talebanët në vitin 2012, për shkak se doli në mbrojtje të të drejtës së vajzave për t’u edukuar, ka dominuar në mbulimin mediatik të dhënies së çmimit Nobel, por Satyarthi shprehet se nuk e ka aspak problem këtë gjë.

“Nuk jam përpjekur kurrë në jetën time që të jem në qendër të vëmendjes, sepse unë punoj me fëmijët të cilët janë thuajse të padukshëm”, tha Satyarthi. “Kauza ime ka mbetur e padukshme për vite të tëra, ndaj dhe i tillë kam qëndruar dhe unë. Malala është një vajzë e mrekullueshme, si të ishte vajza ime, e adhuroj dhe e respektoj atë”.

Satyarthi mohoi idenë që dhuna kundër femrave në botën muslimane ishte një faktor i besimit në vetëvete. “Kuptimi i vërtetë i Islamit është dashuria dhe humanizmi, – tha ai. – Disa njerëz përdorin politikën, bizneset apo edhe besimin për përfitimet e tyre të përkohshme”.

Top Channel