Izrael, kapet amerikani që planifikonte sulme

09/12/2014 00:00

Një shtetas amerikan i ndaluar në Izrael për armëmbajtje u ka thënë autoriteteve lokale se kishte në plan të sulmonte objektet myslimane të kultit.

Adam Everet Livvix, i kërkuar në Shtetet e Bashkuara për trafik droge, u arrestua muajin e kaluar pasi një agjent i fshehtë zbuloi planin e tij.

Armët dhe muncionet e vjedhura nga ushtria izraelite u gjetën në shtëpinë e tij. Avokati i Livvix deklaroi se autoritetet izraelite e kanë tepruar sa i takon aspektit të sigurisë së këtij rasti.

Gjithësesi, arrestimi i amerikanit vjen në një moment tensionesh mes Izraelit dhe Palestinës, të shkaktuara nga përplasjet për aksesin në objektin më të madh të kultit në Jeruzalem, i njohur si Tempulli i Malit për hebrenjtë dhe Al Haram al Sharif nga myslimanët.

Livvix u akuzua të hënën për planifikimin, bashkë me një ushtar izraelit, e vjedhjes së një sasie prej 1.4 kg eksploziv nga ushtria izraelite dhe për faktin se ndodhej në vend në mënyrë të paligjshme.

Autoritetet lokale deklaruan se 30-vjeçari nga Teksasi mendohet të ketë ardhur fillimisht në territoret palestineze në vitin 2013.

Fillimisht ai ka jetuar në Hebron dhe Betlehem, në Bregun Perëndimor, ku rezulton të jetë pyetur nga një palestinez nëse do të ishte i gatshëm të vriste presidentin Barack Obama gjatë një vizite në rajon.

Sipas policisë, ai e refuzoi këtë propozim dhe lëvizi në Izrael duke u hequr sikur ishte një komando i ushtrisë amerikane.

Top Channel