Kush është Isa Mustafa

08/12/2014 00:00

I lindur më 15 maj 1951 në Prapashticë të Prishtinës, kryeministri Isa
Mustafa kthesën më të madhe në karrierën politike e shënoi me zgjedhjen
brenda partisë historike të Ibrahim Rugovës, duke zëvëndësuar në krye të
Lidhjes Demokratike të Kosovës Fatmir Sejdiun.

Karta e fortë e triumfit të zgjedhjes së tij në krye të LDK-së më 7 nëntor 2010 ishte pikërisht kritika kundër koalicionit të atëhershëm qeveritar PDK-LDK.

Ekonomistit që qeverisi për dy mandate rresht kryeqytetin e Kosovës, tashmë si pasojë e një marrëveshjeje post-zgjedhore, do t’i besohet fati i gjithë shtetit. Mustafa është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ku ka marrë titullin Doktor në fushën e Lidershipit të Bizneseve.

Karriera e tij e ka vënë shpesh në pozicione drejtuese me karakter ekonomik, që nga drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës e deri tek ai i ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Kosovës në vitet 1991-1999, apo dhe këshilltar i lartë i presidentit nga shkurti i 2006-s deri ditën që u zgjodh kryetar i komunës së Prishtinës.

Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë Kosovës, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci.

Ai ka qenë ministër i parë Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Republikës së Kosovës në mërgim, e cila udhëhiqej nga Bujar Bukoshi. Rikthehet në politikë në vitin 2006 si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës, Famtir Sejdiu, ndërsa një vit më pas do të fitonte zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës.

Ai qeverisi Prishtinën për dy mandate dhe humbi mundësinë për një të tretë në zgjedhjet lokale të 2013-s, përballë Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e tij u rendit e dyta dhe pas një vere të gjatë u bashkua me koalicionin post-zgjedhor të opozitës, ku iu dha posti i kryetarit të Kuvendit.

Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, Mustafa fitoi më në fund, në sajë të aleancës me rivalin e tij më të madh Hashim Thaçi, atë për të cilën kishte hyrë në zgjedhje: të jetë kryeministër i Kosovës!

Top Channel