Kosovë, shtyhet të martën votimi i qeverisë. Lista Serbe kushtëzon votat

08/12/2014 00:00

Është shtyrë për të martën në mesditë votimi i qeverisë së re të Kosovës, që do të përbëhet nga dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK.

Mësohet se kanë qenë pikërisht këto dy subjekte politike që kanë kërkuar shtyrjen e votimit, që pritej të bëhej në mbrëmjen e së hënës, për shkak të mungesës së deputetëve serbë në sallë.

Lideri i Listës Serbe, Aleksandar Jablanoviç dhe deputetët e tij kanë udhëtuar drejt Rashkës, në Serbi, ku janë takuar me përfaqësues të qeverisë serbe për të diskutuar nëse do të mbështesin ose jo ekzekutivin e ri kosovar.

Burime të Top Channel bëjnë të ditur se Beogradi zyrtar u ka thënë deputetëve të Listës Serbe që të kërkojnë që seanca të shtyhet për ditën e martë, derisa të arrijnë një marrëveshje me krerët e koalicionit PDK-LDK, për kushtet e serbëve.

Kushtet në fjalë janë: emërimi i nëndrejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës nga radhët e pakicës serbe, nënkomandantit të FSK-së po nga radhët e serbëve, ndërprerja e privatizimeve në komunat serbe dhe krijimi i Asosiacionit të Komunave të kësaj pakice.

Mustafa: Programi ynë për qeverisjen 4-vjeçare

Më herët para vendimit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa paraqiti në seancën e Kuvendit të
Kosovës programin qeverisës, pas mandatimit të tij si kryeministër nga
presidentja Atifete Jahjaga.

Në fjalën e tij, Mustafa bëri me dije se në mandatin 4-vjeçar të kësaj qeverie prioritete do të jenë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, vazhdimi i dialogut me Serbinë, si dhe forcimi i partneritetit me faktorët ndërkombëtarë.

“Në 4 vitet e ardhshme Kosova do të qeveriset nga koalicioni i dy partive më të mëdha, bashkë me pakicat. Koalicioni qeverisës do të punojë për sundimin e rendit dhe ligjit, shtetit të së drejtës dhe barazinë para ligjit.

Qeveria është e vetëdijshme që duhet të punojë shumë për mirëqënien e qytetarëve dhe në këtë aspekt do të nxitet sektori privat. Ne do të angazhohemi fuqishëm për anëtarësimin në BE dhe në organizatat e tjera, si dhe për ruajtjen e marrëdhënieve të shkëlqyera me SHBA.

Ne shprehim përkushtimin tonë për fqinjësi të mirë dhe dialog me fqinjët. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve me Serbinë.

Gjithashtu, ne shprehim angazhimin për të ngritur një shtet që lufton krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo formë ekstremizmi.

Ne do të krijojmë një qeveri të përgjegjshme, që do të ketë besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ne do promovojmë liritë dhe vlerat që janë bazë e çdo demokracie”, deklaroi Mustafa.

Në aspektin ekonomik, Mustafa premtoi lehtësi për biznesin e vogël, ulje taksash, si dhe nxitjen e investimeve të huaja por edhe vendase.

Haradinaj: Koalicioni, bashkim i më të këqinjve dhe më të dobtëve

Gjatë debateve politike, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerësoi se Kosova ka rënë në pozitën më të keqe me formimin e koalicionit Thaçi-Mustafa, që u formalizua këtë të hënë.

Në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare, Haradinaj tha se në këtë koalicion janë bashkuar “të këqinjtë dhe të dobëtit”.

“Kosova ka rënë në një gjendje të keqe për shkak të PDK dhe kryetarit të saj Hashim Thaçi. Ky koalicion e ka zbehur Kosovën. Në këtë koalicion janë bashkuar të këqinjtë dhe të dobëtit. Sa mirë ka për të punuar qeverisja Mustafa-Thaçi, Parlamenti i Veselit, rendi dhe ligji? Sa do të na respektojnë jashtë shtetit në këtë gjendje? Ata janë bërë bashkë sepse më së miri i dinë fajet dhe të metat njëri-tjetrit. Nuk mund të lejojmë një qeveri që ta mashtrojë vendin “non stop””, tha Haradinaj. 

Albin Kurti: Shteti i Kosovës në duart e SHIK-ut

Edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në fjalën e tij në Kuvend hodhi akuza të ashpra ndaj PDK-së dhe koalicionit qeverisës mes saj dhe LDK-së. Kurti e vuri theksin tek përbërja e grupit, që sipas tij dominohet nga ish-agjentë e ish-drejtues të shërbimit sekret, SHIK.

Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi se me këta njerëz, institucionet e Kosovës nuk do të jenë kurrë në gjendje të ofrojnë drejtësi dhe siguri për qytetarët.

“Sot është dita më e errët për institucionet e pasluftës. Shefi i shërbimit sekret të PDK-së u bë kryetar Parlamenti, ndërsa dy partitë më të rudhura u bënë bashkë për padrejtësi me privatizimet dhe lëshime Serbisë. Ata që kanë bërë negociatat me Serbinë kanë qenë pikërisht ish-anëtarët e SHIK-ut, që sot janë gjysma e PDK-së”, deklaroi Kurti.

Kreu i partisë opozitare paralajmëroi se do të kërkojë formimin e një komisioni parlamentar që të hetojë krimet e SHIK-ut, përpjekje kjo që në të kaluarën ka dështuar.

“Tani jemi 33 deputetë të opozitës dhe kur të bashkohen me ne 8 deputetë të LDK-së që votuan kundër Veselit do të formojmë komisionin hetimor për SHIK-un. Për 15 vjet në Kosovë kanë bashkëjetuar SHIK-u dhe UDB-ja, pa u përplasur kurrë. Nëse SHIK-u do ishte kundër Serbisë do të merrej me strukturat paralele serbe e jo me Vetëvendosjen”, tha Kurti.

Ai vuri në dukje se gjatë qeverisjes së PDK Kosova ka pasur një shtet të kapur dhe tani kësaj kapjeje sipas tij i është shtuar edhe LDK-ja.

“Kemi një shtet të kapur, pas të cilit tani është kapur edhe LDK-ja. PDK është koorporata më e fuqishme në Kosovë. Ajo është kudo aksionere. Parulla e PDK-së është “Familja, prona, shteti”, por shteti në funksion të pronave të familjes. Tani LDK do të bëhet e njëjta familje me PDK-në”, shtoi Kurti.

Thaçi: Blloku poaszgjedhor, ofertë për marrëveshje

Ndërsa kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, që në kabinetin e ri do jetë zv.kryeministër i parë, mbrojti koalicionin me LDK-në duke nënvizuar se ai është vullnet i respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Ky koalicion është orientim për funksionimin e institucioneve legjitime e funksionale, me përfshirjen e pakicave. Zërat kritikë janë e drejtë e gjithëkujt që dëshiron të shprehë opinionin e tij, por askush nuk mund t’i mohojë një koalicioni të hartojë programin e tij”, tha Thaçi, i cili shprehu edhe vizionin e ekzekutivit të ri.

“Kjo do të jetë qeveria e integrimit, e sundimit të rendit dhe ligjit dhe vendimeve të guximshme që kemi marrë dhe do të vazhdojmë të marrim. Nëse shohim të kaluarën, këto dy parti kanë marrë vendimet më të rëndësishme”, vijoi kreu i PDK-së.

Thaçi reagoi edhe ndaj kritikave të ashpra të bëra nga opozita ndaj partnerit të koalicionit Isa Mustafa, ndërsa bëri me dije se pikërisht nga partitë opozitare ka pasur një seri ofertash për bashkëqeverisje.

“Deri dje disa parti dialogonin me LDK, ndërsa tani nuk e vlerësojnë më. Dua të them se para marrëveshjes me zotin Mustafa, tre partitë që dolën jashtë më kanë ofruar mundësi për koalicion. Por këto oferta nuk ishin transparente, ndërsa takimet e mia me Mustafën po. Refuzimi im ka ardhur pasi kriteret e tyre kanë qenë në kundërshtim me politikat e orientimit euro-atlantik”, tha Thaçi.

“Është momenti që ne t’i japim vendit qeverinë e Kosovës, që e presin qytetarët e që është vonuar nga ofertat të bëra pas shpine nga ata që sot kanë humbur. Ne kemi punuar me përgjegjësi të plotë dhe ata që thonë ‘s’flasim me Thaçin dhe PDK-në’, në të vërtetë kanë folur dhe madje kanë dërguar letra”, shtoi kreu i PDK. 

Konjufca: Qeverisja e re, asnjë perspektivë Kosovës

Në fjalën e krerëve të grupeve parlamentare, Glauk
Konjufca nga Vetëvendosje përdori fjalë të ashpra ndaj koalicionit
PDK-LDK.

Konjufca deklaroi se ky koalicion qeverisës nuk ka besueshmëri, për
faktin e thjeshtë, sipas tij, se PDK ishte qeverisja e korrupsionit dhe
LDK ajo që e ka kritikuar më shumë këtë keqqeverisje.

“Qeveria e kaluar ishte qeveria e lulëzimit të korrupsionit, e
shpenzimit të fondeve, qeveri e kapjes së shtetit, e punësimeve
nepotike, që ka arritur ta korruptojë edhe misionin e BE në Kosovë për
sundimin e ligjit. Çfarë Kosove na ka lënë qeveria e PDK-së na e
tregojnë pamjet e mjerueshme të të rinjve që marrin autobusët për të
kaluar në Serbi e më pas për në Hungari, për të arritur vendet e BE-së.
Kjo qeveri nuk shtroi asnjë rrugë e nuk ndërtoi asnjë shkollë të vetme
nëse ato nuk shndërroheshin në vota”, deklaroi Konjufca.

Më pas, kreu i grupit Kuvendor të VV i drejtoi akuza të ashpra të mandatuarit si kryeministër, Isa Mustafa.

“Si mundeni ju zoti Mustafa të tregoni kaq pak skrupuj ndaj qytetarëve?
Ju zoti Mustafa luajtët rolin e kumarxhiut dhe tani keni përfunduar në
duart e Hashim Thaçit. Zgjedhja juaj është kryekëput për interesa
personale, ju u bëtë vagon i PDK-së. Atëherë, si mund t’i besojnë
qytetarët këtij njeriu që tha se LDK nuk do të bashkohej kurrë me PDK?
Kur tha se dënonte keqqeverisjen e PDK-së? Koalicioni PDK-LDK është
koalicioni i dosjeve, i matrapazëve, i atyre që qethën këtë popull para,
gjatë dhe pas luftës”, shtoi Konjufca. 

Krasniqi: Programi i Mustafës, jashtë realitetit

Edhe kreu i grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi tha fjalët më të këqija për koalicionin e ri qeverisës.
Krasniqi u shpreh se me këtë qeveri, Kosova nuk do të ketë asnjë
shpresë për garantimin e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit apo
për zhvillimin ekonomik e social.

“Me këtë koalicion Kosova nuk ka shpresa as për drejtësi dhe as për
ofrimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Koalicioni i sotëm është një
pandershmëri e skajshme”, deklaroi Krasniqi.

Ish-kryetari i Kuvendit kritikoi programin e prezantuar nga
kryeministri i mandatuar Isa Mustafa, duke e cilësuar atë si jashtë
realitetit.

“Pas fjalimit të Mustafës krijova përshtypjen se mandatari për
kryeministër nuk e ka idenë e buxhetit të Kosovës. Ai foli sikur buxheti
është 150 miliardë euro dhe jo 1 miliard e gjysmë. Kam bindjen se me
ato që tha ai, Kosova nuk do të fitojë asgjë. Kosova është në vendin e 9
të vendeve më të varfëra të kontinentit të Evropës, prandaj pak shpresë
ka që ky mandatar do të dijë të qeverisë. Kjo qeveri nuk është bërë për
të ndryshuar zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, etj. Këtij kabineti nuk
i intereson jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha Krasniqi. 

 

Top Channel