Durrës, treni del nga shinat, nuk ka të lënduar

07/12/2014 00:00

Lokomotiva e një treni mallrash ka dalë nga shinat mëngjesin e së dielës duke bllokuar për orë të tëra lëvizjen mbi shina në zonën e Durrësit, qendër e transportit hekurudhor në vend.

Ngjarja ndodhi pranë Urës së Dajlanit, ku treni i mallrave i ngarkuar në portin e Durrësit me skrap për uzinat e hekur-çelikut në Elbasan ka dalë nga shinat menjëherë pas daljes nga territori portual.

Shpejtësia e ulët e lëvizjes ka shmangur pasoja më të rënda në këtë ngjarje hekurudhore që nuk regjistroi të lënduar mes drejtuesve të trenit, po vetëm dëme materiale të lokomotivës dhe linjës.

Grupet e punës me specialistë të hekurudhës kanë shkuar shpejt në vendin e ngjarjes, duke punuar për orë të tëra për kthimin në normalitet të linjës.

Përveç amortizimit të linjave hekurudhore, specialistët thonë se ngjarja më e fundit u shkaktua nga vjedhja e pllakave lidhëse të shinave. Prej vitesh vjedhja e elementëve/aksesorëve të linjës së hekurt nga persona të papërgjegjshëm që veprojnë në emër të fitimit të vogël personal është kthyer në problem serioz për sigurinë e qarkullimit mbi shina, ndërkohë që Hekurudhat Shqiptare përballen edhe me mungesën e investimeve për rehabilitimin e linjave.

Top Channel