Ndëshkim 3 mijë europianëve të ISIS, BE diskuton masat

06/12/2014 00:00

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian ranë dakort të premten me
ndëshkimin e të gjithë atyre ata që duan t’i bashkohen organizatës
terroriste ISIS, ashtu siç u bë me Kreshnik B. me origjinë nga Kosova, i
cili u dënua një ditë më parë në Gjermani.

Ligji do të paraqitet përpara Krishtlindjeve. Deri tani në krah të grupit të dhunshëm ekstremist islamik llogaritet të luftojnë të paktën 3.000 europianë, çka mbjell shqetësim në radhët e bllokut duke qenë se vendet e ‘Kontinentit të Vjetër’ po shihen si transportuese të terrorit drejt shteteve të tjera.

Një situatë e tillë nxjerr në pah më shumë se kurrë domosdoshmërinë e parandalimit të radikalizimit, por nëse ai ka hedhur tashmë rrënjë, atëherë, u shpreh Ministri i Brendshem gjerman Thomas de Maiziere, duhet t’iu ndalojmë njerëzve mundësinë e udhëtimit që të mos shkojnë e të vrasin diku tjetër.

Deri tani vetëm dy vende europiane, Franca dhe Gjermania kanë marrë ndonjë masë konkrete për frenimin e largimit të personave që synojnë të bashkohen me ISIS-in. Bllokimi i pasaportave është një prej hapave të hedhur në këtë drejtim. Megjithatë, fenomeni vazhdon të jetë në rritje. Një nga arsyet duket të jete aktiviteti i zgjeruar i shtetit islamik në internet; ISIS-i është shumë i pranishëm në rrjetet sociale si Tëitter e Facebook, çka shton ndikimin e tij sidomos mbi të rinjtë.

Për këtë çështje, Bashkimi Europian ka nisur bisedimet me operatorët e platformave sociale. Europianët përbëjnë gati 10% të 30.000 luftëtarëve të Shtetit Islamik, ndër të cilët më të shumtë janë persona të larguar nga Gjermania, Belgjika e Suedia.

Top Channel