Mbreti i Jordanisë: ISIS, Lufta e Tretë Botërore

06/12/2014 00:00

Gjatë një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, Mbreti i Jordanisë e ka cilësuar luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik si ‘Luftën e Tretë Botërore’.

Abdullah II beson se për të luftuar ekstremistët e ISIS, bota myslimane duhet të jetë e bashkuar. “Ky është një problem mysliman. Kjo është një luftë mes myslimanëve të mirë dhe të këqij, duhet të mbajmë një qëndrim për të mposhtur ekstremizmin. Ne duhet të ngrihemi dhe të themi se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar”.

Mbi trazirat në Lindjen e Mesme, Mbreti Abdullah është shprehur se ai nuk është duke punuar i vetëm në këtë luftë, pasi sipas tij, udhëheqësit arabë në mbarë botën kanë filluar të punojnë së bashku, por për këtë ai nuk ishte i gatshëm të jepte detaje.

Mbreti i Jordanisë e ka cilësuar tepër serioz edhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.

Ndërkohë, Barack Obama premtoi një rritje të konsiderueshme të ndihmës amerikane për Jordaninë. Ai tha se SHBA do të shtojë ndihmat nga 660 milionë dollarë në 1 miliard dollar në vit.

Top Channel