SHBA, punësimi arrin nivele rekord. 2014 më i miri që prej 1999

05/12/2014 00:00

Punësimi në SHBA gjatë muajit nëntor është rritur ndjeshëm, me 321 mijë vende të reja pune, duke e shpallur vitin 2014 si më të fuqishmin për normën e të punësuarve që prej vitit 1999.

Përqindja e papunësisë mbetet ende e qëndrueshme në shifrat e 5,8 përqind, sipas raportit të publikuar këtë të premte nga qeveria amerikane, por krahasuar me vitin e kaluar është ulur me 1,2 përqind nga 7% që ishte.

Punësimi pasqyroi kështu parashikimet e përbashkëta të sondazheve të ekonomistëve, të cilët shpresonin të shtoheshin rreth 228 mijë vende të reja pune gjatë këtij muaji.

“Shifrat janë thuajse përtej parashikimeve, duke pasur parasysh çfarë kemi parë gjatë 10 viteve të fundit”, tha Patrick O’Keefe, drejtor i kërkimeve ekonomike në firmën e kontabilitetit “CohnReznick”, i cili nuk mendon se ka ndonjë anomali deri më tani. “Kompanitë janë duke punuar fuqishëm në punësim, siç parashikohej edhe më herët”.

Ekonomia amerikane ka fituar një mesatare prej rreth 224 mijë vendesh të reja punë çdo muaj gjatë këtij viti, ndërkohë që analistët i konsiderojnë muajt me rritje të punësimit mbi 200 mijë si tepër të mirë.

Amerikanët kanë gjetur punësim në një rrjet të gjerë industrish, ndërkohë që shërbimet profesionale dhe ato të bizneseve kanë pësuar një rritje me 86 mijë pozicione të reja, ku përqindje më të lartë ka pasur në kontabilitet dhe llogarimbajtje.

Punësimi në tregtitë me pakicë është rritur me 50 mijë, falë rritjes së ndjeshme të punësimit në dyqanet e shitjeve të makinave dhe dyqanet e veshjeve. Shumë kompani e kanë shtuar së tepërmi listën e pagesave këtë vjeshtë, duke paralajmëruar kështu një sezon pushimesh edhe më të fuqishëm sa i përket “shopping”-ut.

Top Channel