Varroset ultrasi, asnjë zyrtar i Deportivos në funeral

04/12/2014 00:00

Ditën e mërkurë iu dha lamtumira e fundit Francisco Javier Romero Taboada-s, ultrasit të Deportivo La Coruna i cili humbi jetën gjatë përleshjeve me ultrasit e Atletico Madrid ditën e dielë, para ndeshjes së kampionatit spanjoll mes këtyre dy ekipeve.

Ajo që ra në sy është se asnjë zyrtar i klubit të Deportivos nuk ishte i pranishëm në varrim, një shenjë e qartë distancimi i këtij klubi nga fenomeni i ultrasve.

I vetmi që u paraqit ishte ish-presidenti i Deportivos, Augusto César Lendoiro, i cili njihet për lidhjen e tij të ngushtë me ultrasit e skuadrës që nga viti 1988.

Ndërkohë, Atletico Madrid ka përjashtuar grupimin e tifozëve të vet ultras pas ngjarjes së rëndë. Vendimi u mor pas rezultatit të hetimeve të policisë madrilene, ku fajësohej dhuna e tifozëve ultras të Atletikos për vdekjen e tifozit të Deportivos.

Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare në internet, Atletico dënon ashpër dhunën dhe si kundërpërgjigje thotë se ka vendosur që të mos lejojë më në stadium grupin e tifozëve të quajtur “Frente Atletico” .

Top Channel