Tregu s’ka prodhim, rritet çmimi i vezëve

04/12/2014 00:00

Një kokërr vezë në treg kushton si asnjëherë tjeter 18 deri dhe ne 20
lekë ne dyqanet e lagjeve, pasi tregu po përballet me mungesë të këtij
artikulli.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i pyetur në lidhje me këtë çmim shpjegon në arsyet e rritjes.

“Nëse do ta blesh vezën në vende të shtrenjta, sigurisht që do ta blesh shtrenjtë. Në periudhën e dimrit, në përgjithësi cmimi i vezës rritet, për shkak të uljes së pjellorisisë për shkak të uljes së ndriçimit, njëkohësisht për t’u ushqyer kërkon sasi më të madhe, pasi ulja e temperaturave bën që norma e konsumit për shpend të rritet dhe kjo është jo vetëm e vërtetë për Shqipërinë, por për të gjithë vendet e rajonit. Këmbëngul që ne të kemi transparencë të çmimeve”, thotë Panariti, duke theksuar se çmimi është më i ulët pranë qendrave ku prodhohet direkt.

Ministri i kerkoi prodhuesve te vezeve te paraqesin nje analize te kostove reale, pasi me çmimin e vezeve edhe mund te abuzohet. Por prodhuesit thane se eshte rritur kostoja e vezes per shkak te rritjes se çmimit se lendes se pare.

“Eshtë një periudhë e shkurtër, ku nuk është abuzuar me cmimet, sepse cmimi mesatar sot që del nga pularia është 15 lekë të reja për një kokërr veza. Duke nisur nga muaji janar ne kemi kontrata me komunitetin evropian, si dhe me vendet e rajonit për të vazhduar eksportin e vezëve”, tha Eduart Bregu, sipërmarrës.

Panariti u tha prodhuesve se nuk do t’i lejonte qe ata te unifikojne çmimin, por nga ana tjeter ka dhe nje shprese per uljen e çmimit të vezëve për konsumatorët.

“Industria e prodhimit të vezëve përgatet që të fusë shumë shpejt në prodhim një kontigjent të ri pulash. Pas dy-tre muajsh,  këto pula do të futen në prodhim, do të rrisin sasinë e vezëve të fresketa që do të hidhen në treg dhe kjo do të ketë padyshim edhe ndikim në çmim”, tha Panariti.

Ministri zhvilloi një takim me prodhuesit e vezëve në vend, me qëllim transparencën e kostot së vezëve, si dhe moslejimin e abuzimit me çmimin e tyre.

Top Channel