Abu Dhabi, terrorizëm pas vrasjes së mësueses amerikane?

04/12/2014 00:00

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar një grua vendase për vrasjen e një mësueseje amerikane në një qendër tregtare në Abu Dhabi.

Policia deklaroi gjithashtu se e dyshuara ishte përpjekur të vendoste një bombë jashtë shtëpisë së një doktori amerikan.

Vrasja e mësueses amerikane, e identifikuar nga mediat e Shteteve të Bashkuara si Ibolya Ryan, tronditi mbarë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Agresorja, e cila ishte veshur tërësisht me të zeza, u filmua nga kamerat me qark të mbyllur teksa hynte në qendrën tregtare dhe të dilte pas vrasjes sikur të mos kishte bërë asgjë.

Ministri i Brendshëm, Saif Bin Zayed deklaroi: “Jemi dëshmitarë të një krimi rrëqethës të papreçedent në EBA”.

Koloneli Rashid Borshid, i Departamentit të Hetimeve Kriminale në Abu Dhabi, tha se e dyshuara më pas do të vendoste një bombë në shtëpinë e një doktori amerikan të çatdhesuar, por u ndalua në kohë.

Oficeri i lartë tha gjithashtu se po hetohet edhe pista e një sulmi terrorist, por shtoi se për momentin nuk mund të japë një përgjigje konkrete.

Pista në fjalë konsiderohet si mjaft e akredituar, duke qenë se muajin e kaluar një grup ushtarësh amerikanë në Abu Dhabi, të veshur civilë, u sulmuan me armë zjarri.

Rrjeti amerikan “ABC News” dhe një tjetër media amerikane njoftuan se 37-vjeçarja Ryan ishte nënë e dy binjakëve 11-vejçarë. Sidoqoftë, identiteti i saj nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Zyrtarë të policisë saktësuan se Ryan ishte therrur me një “objekt të mprehtë” pas një argumenti në tualetin e qendrës tregtare në Reem Island.

Pamjet filmike e tregonin të dyshuarën të hynte në tualet dhe rreth 90 minuta më vonë të shfaqej sërish në hollin e qendrës duke shtyrë me forcë një grua që përpiqej ta ndalonte. Në pamje vihet re edhe një vijë gjaku që ajo lë pas.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një popullsi të madhe shtetasish perëndimorë të çatdhesuar dhe konsiderohet një parajsë e sigurtë në Lindjen e Mesme.

Top Channel