Të banosh në rrugën “Lionel Messi”

03/12/2014 00:00

Kur zonja Cecilia thotë se jeton në rrugën “Javier Mascherano”, në kryqëzimin me rrugën “Lionel Messi”, askush nuk e beson. E njëjta gjë vlen edhe për shoqen e saj Nancy, e cila shtëpinë e ka në rrugën “Sergio Romero”, ndërsa motra e saj jeton në “Angel Di Maria”.

Mirëseerdhët në El Chanar, në provincën argjentinase të Tucuman-it, më saktë në lagjen e re me emrin Portal, aty ku dy muaj më parë rrugët nuk ishin të emërtuara, ndërsa sot kanë marrë emrin e lojtarëve të kombëtares argjentinase të futbollit, nënkampione e botës në Brazil.

“Na u duk një ide e mirë për të frymëzuar të rinjtë”, thotë një zyrtar i komunës për ‘La Gaceta de Tucuman’, duke shpjeguar se kanë qenë vetë banorët që kanë dashur që rrugët të marrin emrat e lojtarëve të Argjentinës.

Biznesmeni Fernando thotë: “Jam shumë i lumtur që jetoj në rrugën “Javier Mascherano” sepse ai është lojtari simbol i skuadrës.”

Por, në këtë lagje nuk është gjetur asnjë rrugicë për t’i dhënë emrin e Ezequiel Lavezzi-t dhe zyrtari i komunës shpjegon: “Ai është idhulli im, por ne kemi vënë vetëm emrat e lojtarëve titullarë.”

Top Channel