Shulku: Serbia na kërkoi të riluajmë ndeshjen në Beograd

03/12/2014 00:00

Për të folur mbi vendimin e Apelit për ndeshjen Serbi-Shqipëri ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Ilir Shulku, sekretar i Përgjithshëm i FSHF, i cili komentoi vendimin e Apelit dhe solli detaje të reja mbi diskutimet para marrjes së vendimit.

Ai tha se pala serbe kërkoi shtyrjen e vendimit për të diskutuar me FSHF-në për të riluajtur ndeshjen.

Pandi Gjata: A ishte një vendim i pritur ky për ju, duke patur parasysh perceptimin e opinionit publik mbi komisionet e UEFA-s?

Ilir Shulku: Për të qenë i sinqertë, nuk prisnim ndonjë ndryshim të vendimit në Apel. Megjithatë, në bazë të provave, të cilat janë shumë të qarta, ne kërkonim të merrnim 3 pikët. Vendimi i Apelit ishte një padrejtësi e dytë që i bëhet Shqipërisë sepse ne e kërkuam drejtësinë në Disiplinë në bazë të fakteve dhe raporteve të dy studiove tona ligjore.

Pandi Gjata: A mund të kundërshtojnë njëri tjetrin këto dy komisione të UEFA-s? Po në rastet e mëparshme si kanë vepruar?

Ilir Shulku: Faktet kanë treguar që Komisioni i Apelit në UEFA nuk ka kundërshtuar kurrë atë të Disiplinës. Ne e kemi thënë edhe më  parë që do të kërkojmë drejtësi te KAS-i, ndërsa Apeli ishte një shkallë ligjore që duhej ndjekur, por me pak shpresa.

Pandi Gjata: A jeni në dijeni të asaj që është diskutuar deri sa është marrë vendimi i Apelit. Nga informacionet që ne përcollëm janë pyetur edhe zyrtarët e ndeshjes Serbi-Shqipëri. A ka patur mospërputhje në deklaratat e dhëna para Apelit dhe të atyre të dhënë javë më parë?

Ilir Shulku: Përpara se të fillonte mbledhja e Komisionit të Apelit kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Duka, i cili ishte i pranishëm në mbledhje. Më është bërë e ditur se Federata Serbe ka kërkuar një shtyrje të vendimit nga Komisioni i Apelit për të zhvilluar një bisedë me FSHF-në, ku kanë bërë një ofertë që ndeshja të riluhet pa tifozë, por sërish në Serbi. Presidenti Duka e ka kundërshtuar këtë kërkesë të palës serbe dhe ne kemi kërkuar që të marrim atë që na takon, 3 pikëshin në tavolinë. Ndërkohë që të gjithë zyrtarët e ndeshjes janë pyetur nga komisioni dhe raportet e tyre me atë çka kanë thënë para komisionit nuk kanë përputhje dhe raportet mes zyrtarëve janë shumë kontradiktore. Për këto arsye ne shpresojmë që në KAS të marrim 3-pikëshin.

Pandi Gjata: A kemi detaje nga këto deklarata kontradiktore të zyrtarëve të ndeshjes?

Ilir Shulku: Vetëm raporti i arbitrit kryesor ka qenë që Shqipëria ka refuzuar të futet në fushën e lojës. Doja të theksojë një pyetje që i ka bërë avokati jonë arbitrit kryesor të ndeshjes, ai i tha se: ‘Nëse me atë stolin që u godit në kokë lojtari shqiptar të ishit goditur ju, a do të ishit në gjendje të vazhdonit lojën?’. Ndërsa ai është përgjigjur: “Jo nuk do të isha në gjendje të vazhdoja ndeshjen”. Kjo është një përgjigje që ai e ka thënë ndoshta pa dashje, por është një realitet për atë që ekipi shqiptar e kishte të pamundur të fillonte lojën.

Pandi Gjata: Dhe pas kësaj deklarate sërish nuk ka patur reflektim nga Komisioni i Apelit…

Ilir Shulku: Komisioni i Apelit nuk i ka marrë për bazë edhe të gjitha faktet e tjera që janë shtuar dosjes voluminoze. Ka patur një mbrojtje shumë korrekte dhe shumë bindëse nga studiot tona ligjore. Megjithatë doja të thosha që vendimi i Komisionit të Apelit ka qenë i paragjykuar.

Pandi Gjata: Është diskutuar gjatë edhe për mënyrën e mbrojtjes nga pala shqiptare. A është paaftësi e dy studiove ligjore për të na mbrojtur apo vendimet e UEFA-s shkojnë përtej kësaj, duke pretenduar të fitojë vota në vendet sllave për zgjedhjet e ardhshme?

Ilir Shulku: Ndoshta kjo e dyta mund të jetë e vërtetë, ndërsa e para nuk qëndron, pasi mbrojtja është bërë brenda rregullave. Këto dy studio na kanë përfaqësuar denjësisht dhe shpresojmë që me mbrojtjen e tyre ne do të fitojmë në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv. Ndërsa për sa i përket votave në vendet sllave që UEFA mund të synojë, unë mendoj që mund të ketë diçka të vërtetë, por ne duam ta lëmë vetëm në kuadrin sportiv.

Pandi Gjata: KAS-i mbetet shpresa jonë e fundit. Do të jetë e njëjta dosje që ka shkuar në Komisionin e Disiplinës dhe në atë të Apelit apo do të pasurohet me elementë të tjerë?

Ilir Shulku: Nuk mendoj se ka ndonjë detaj tjetër që ka ngelur pa u pasqyruar në dy shkallët e para, pasi dosja është shumë e plotë.

Pandi Gjata: Pse shpresat te KAS-i janë më të mëdha se në dy shkallët e para?

Ilir Shulku: Komisioni i Disiplinës dhe i Apelit janë brenda UEFA-s nuk kanë pasur ndonjëherë përplasje dhe rikthim të vendimeve, ndërsa KAS-i ka rikthyer shpeshherë vendimet dhe është një komision i pavarur nga UEFA, me persona të zgjedhur, por jashtë saj.

Pandi Gjata: Të shpresojmë që hapat e tjerë të shkojnë ashtu siç duhet dhe të presim vendimin që e meritojmë të gjithë. Besoj janari dhe më mbrapa do të jetë në qendër të vëmendjes…

Ilir Shulku: Ditët në vazhdim UEFA do të njoftojë për zbardhjen e vendimit dhe pas këtij momenti kemi 10 ditë afat për të bërë ankesën për në KAS, nga ku vendimi zgjat më shumë se në dy shkallët e para, ndoshta dy apo tre muaj.

Pandi Gjata: Me këto parashikime, deri në muajin mars kjo histori do të jetë mbyllur…

Ilir Shulku: Besoj po dhe në favorin tonë. 

Top Channel