Shkodër, arrestohen 4 zyrtarë, tjetërsuan sipërfaqe toke

03/12/2014 00:00

Pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Shkodrës, policia e këtij qyteti ka finalizuar me sukses pasditen e së mërkurës operacionin  “Toka”, ku janë vënë në pranga katër zyrtarë.

Nëpërmjet fallsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës, këta zyrtarë kanë tjetërsuar një sipërfaqe të madhe toke në komunën Gruemirë të rrethit Malësi e Madhe.

Të arrestuarit janë: kryetari i komunës Gruemirë, Lirim Nehanaj, 48 vjeç; Fatmir Tepelia, 54 vjeç dhe me detyrë përgjegjës në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrotjes së Tokës në qarkun Shkodër; Ruzhdi Handraj, 52 vjeç dhe me detyrë specialist i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave po në Shkodër; dhe Asim Burgaj, 47 vjeç dhe ish-regjistrues në zyrën e Hipotekës në rrethin e Malësisë së Madhe.

Sipas Prokurorisë së Shkodrës, ndaj katër zyrtarëve të arrestuar, gjykata lokale ka vëndosur masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ata ishin nën hetim prej disa kohësh nga prokuroria dhe në përfundim të hetimeve ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës kanë tjetërsuar një sipërfaqe të madhe toke në komunën Gruemirë.

Top Channel