
Qeveria ka propozuar një projektligj, përmes të cilit kërkon të çlirohet
nga detyrimi për të marrë miratimin e Parlamentit për çdo marrëveshje
borxhi në tregun financiar.
“Kur dalim në tregun ndërkombëtar, është ideja ose të paktën kështu ishte interpretuar që duhej që doemos këtë hua ta miratonte në detaje Kuvendi. Gjykimi ynë është që nuk është e nevojshme, pushtetet janë të ndara”, tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave.
Cani shpjegoi se pse sipas tij nuk është e nevojshme që Parlamenti të miratojë në hollësi çdo kredi që Qeveria merr në treg.
“Kuvendi i ka të gjitha mjetet të bëjë vlerësimin apo më shumë akoma, të vendosë kufijtë, për Ministrinë e Financave dhe për Qeverinë se çfarë dhe sa do të marrë borxhin dhe kuptohet edhe kriteret se si duhet marrë borxhi”, tha Cani.
Sipas tij, drafti i propozuar i lejon shtetit të marre borxh me kushte më të mira nga privatët në tregun financiar.
Por nisma ngre pikëpyetje juridike. Në nenin 121, Kushtetuta përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me marrjen përsipër të detyrimeve financiare te shtetit, miratohen me ligj në Parlament.
“Ka një çështje juridike që duhet të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Ligjeve. Pikërisht, për këtë arsye Konferenca e Kryetarëve ka angazhuar dhe Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese për ta shqyrtuar në cilësinë e komisioneve por edhe në vendimi këtë projektligj.Kështu që, ne sot mbyllim seancën e parë të prezantimit të projektligjit nga ana juaj, ndërkohë që javën tjetër do të nisim gjithë procedurën tjetër në bazë të rregullores së Kuvendit. Natyrisht duke pritur edhe vendimin ligjor të Komisionit të Ligjeve”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Brace.
Vitet e fundit ky kufizim i Kushtetutes eshte shnderruar në një ngërç për financimin e defiçitit, veçanërisht për huatë që shteti merr ne tregun e lirë nga privatët. Në 2010, Qeveria e mëparshme kur kontraktoi Eurobondin 300 milionë euro, e zgjidhi nje situate të ngjashme përmes një procedure të dyshimtë, duke paracaktuar interesin e kredise në Kuvend ende pa u kryer ankandi.
Top Channel