Korea e Veriut nuk mohon sulmin ndaj “Sony”

02/12/2014 00:00

Korea e Veriut ka refuzuar të mohojë përfshirjen në sulmin informatik ndaj kompanisë kinematografike “Sony Pictures”, që ndodhi në prag të shfaqjes së filmit mbi liderin Kim Jong un.

“Sony” ka ndërmarrë një hetim të gjerë pasi kompjuterët e tij u sulmuan dhe filma të pashfaqur ende në kinema u hodhën në faqe të ndryshme interneti.

I pyetur nëse ishte e përfshirë në sulm, një zëdhënës i qeverisë koreano-veriore u përgjigj: “Prisni dhe do ta shihni”.

Në qershor Korea e Veriut u ankua tek Kombet e Bashkuara dhe tek Shtetet e Bashkuara për filmin komedi mbi liderin e saj, “Intervista”.

Në film, aktorët Seth Rogen dhe James Franco interpretojnë dy reporterë të cilëve u mundësohet një intervistë me Kim Jong un. Menjëherë ndërhyn CIA, që angazhon gazetarët për ta vrarë liderin.

Regjimi i Penianit e ka cilësuar filmin si një “akt lufte” dhe një “sponsorizim të neveritshëm të terrorizmit”, dhe i ka kërkuar Uashingtonit dhe OKB-së që ta bllokojnë atë.

Sistemi kompjuterik i “Sony Pictures” ra javën e kaluar dhe hakerat publikuan online një numër filmash ende të pashfaqur në kinema.

Mes titujve është një riprodhim i filmit klasik “Annie”, që nuk do të shfaqet në ekranin e madh para 19 dhjetorit. Megjithatë, filmi për liderin korean nuk shfaqet mes atyre të piratuar.

“Forcat armike po lidhin gjithçka me Korenë e Veriut. Unë ju këshilloj vetëm të prisni dhe do të shihni”, u përgjigj zëdhënësi i qeverisë së Penianit.

Ditën e hënë “Sony Pictures” deklaroi se kishte riparuar një seri shërbimesh të rëndësishme, që ishte detyruar të pezullonte për shkak të sulmit.

Top Channel