Korçë, kapen 12 kg kanabis, 4 në pranga

02/12/2014 00:00

Policia e qytetit të Korçës në një operacion të kryer në orët e natës ka sekuestruar një sasi prej 12 kilogramë lëndë narkotike e tipit kanabis.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave gjatë operacionit të koduar “Sport 1” është realizuar edhe arrestimi i 4 personave.

Këta të fundit janë identifikuar si shtetasit Tomor Pengu, Andrea Kapurani, Mikel Kodra dhe Gjergji Panolii.

Burimet saktësojnë më tej se, në banesën e Tomor Pengut janë gjetur edhe dy peshore elektronike që shërbenin për të llogaritur sasinë e drogës, si dhe 7 telefona celularë.

Në rrethana të ngjashme, muajin e kaluar policia e Fierit arrestoi pesë persona, mes të cilëve katër, gra nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike.

Gjatë operacionit të koduar “Serrat”, policia bllokoi disa serra ku prodhohej kanabis sativa. Operacioni u zhvillua në fshatin Kurjan të rrethit të Fierit.

Të arrestuarit prodhonin në një serrë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë kanabis sativa dhe e përpunonin më pas për shitje.

Policia arrestoi pronarin e serrës si dhe katër punonjëse të saj, ndërsa sekuestroi një sasi prej 1.380 kg bimë narkotike.

Në të njëjtin operacion një person tjetër u shpall në kërkim si person i përfshirë në këtë kultivim droge, deklaruan burimet policore.

Top Channel