
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se vetëm në 60 ditë janë arritur objektivat kryesore për trajtimin e shpërthimit të Ebolës në Afrikën Perëndimore.
Njëri prej synimeve ishte trajtimi i izoluar i 70 për qind të pacientëve dhe gjithë ky mision duhej të ishte realizuar brenda datës 1 dhjetor.
Por ka ende punë, thonë ekspertët mjekësorë, pasi virusi është ende në qarkullim edhe pse jo në ritmet e mëparshme.
Megjithatë, njëri prej personave përgjegjës nga OBSH tha se është ngushtuar ndjeshëm hendeku mes nivelit të sëmundjes si edhe kapacitetit për ta luftuar Ebolën.
Muajin e kaluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon deklaroi se situata e rëndë e shkaktuar nga virusi vdekjeprurës në Afrikën Perëndimore mund të përfundojë në vitin 2015, nëse bota do të përshpejtojë reagimin e saj.
Por ai paralajmëroi se edhe pse rastet e reja ishin gjithnjë e më të pakta në vendet e Afrikës Perëndimore, situata mbetej shqetësuese dhe se duhej bërë kujdes.
Ban Ki-moon foli gjatë një takimi në Uashington me zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Nëse ne vazhdojmë të përshpejtojmë reagimin tonë, atëherë sëmundja e rrezikshme mund të ndalet në mesin e vitit të ardhshëm”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB.
Top Channel