Nën akuzë ish-drejtori i spitalit në Vlorë

30/11/2014 00:00

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe e ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtorit të Spitalit Rajonal Vlorë, Remzi Haxhiu, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.

Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se, pa respektuar procedurat ligjore të tenderimit, ish-drejtori i Spitalit ka lidhur dy kontrata furnizimi me një subjekt privat, për pajisjen me medikamente dhe me mjete spitalore, në vlerë totale rreth 1.9 milionë lekë të reja.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se Remzi Haxhiu ka lidhur kontratë me këtë subjekt privat, pa zhvilluar asnjë procedurë tenderuese, duke mos respektuar në këtë mënyrë përcaktimet e ligjit për prokurimet publike.

Ndërkaq, burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se janë duke vijuar hetimet ndaj shtetasit me inicialet, N. Ç. administrator i subjektit qe ka furnizuar spitalin e Vlorës, për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, pasi dyshohet se janë përdorur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë disa dokumente me përmbajtje të rreme.

Top Channel