La Liga, Reali rekord: 16 fitore radhazi

30/11/2014 00:00

Real Madrid nuk po njeh më pengesa. “Los Blancos”-it mposhtin 2-1 Malagën në transfertë dhe sigurojnë kështu fitoren e 10 radhazi në La Liga, duke përforcuar vendin në krye të tabelës së klasifikimit, duke qenë përkohësisht 5 pikë përpara Barcelonës dhe 7 pikë më shumë se Atletico.

Autorë të golave në fitoren e së shtunës ishin Karim Benzema dhe Gareth Bale, teksa për Malagën nuk mjaftoi goli në minutat shtesë i Santa Cruz. Ronaldo mbetet sërish pa shënuar gol, por jep 2 asiste tepër të vlefshme për 3 pikët e radhës së ekipit të tij.

Me këtë fitore, Carlo Ancelotti hyn përfundimisht në historinë e Real Madridit. Askush më parë nuk kishte arritur të siguronte 16 fitore radhazi në ndeshje zyrtare. Rekordi u kompletua me triumfin ndaj Malagës, teksa Reali nuk njeh humbje që prej sfidës në “Bernabeu” me Atleticon, më 13 shtatorin e kaluar.

Janë plot 10 fitore në La Liga, 5 në Champions League dhe 1 në Kupën e Mbretit. Barça dhe Atletico janë të detyruara t’i kundërpërgjigjen këtë të diel “merengues”-ve, nëse nuk do të duan të humbasin më shumë terren në luftën për titull.

Në ndeshjet e tjera të La Ligës, Athletic Bilbao triumfon 2-1 ndaj Getafes, ndërsa Espanyol me të njëjtin rezultat ndaj Levantes.

Top Channel