Flamuri shqiptar u nderua, si çdo pasdite 28 Nëntori përgjatë kësaj dekade, nga komuna Koekelberg në Bruksel.

Për herë të parë shqiptarët u mblodhën kësaj radhe në shesh për të duartrokitur këtë gjest e për ta festuar me vallet tradicionale të të rinjve të qendrës kulturore Vatra, në prani të ambasadores së re të Shqipërisë pranë BE-së, Suela Janina, dhe të deputetit të vetëm të Brukselit me origjinë shqiptare, Amet Gjanaj.

Tingujt e tupanit zbritën dhe kryetarin e komunës, i cili rrëfeu në publik se merita për ngritjen e flamurit në Koekelberg i takon Vat Sokolit, një 60 vjeçar nga Dukagjini.

“Zoti Vat Sokoli erdhi në zyrën time para 11 vjetësh dhe më tha: “Hezitoj t’jua kërkoj, por çdo vit shohim se ju ngrini e ulni flamuj sipas festave nacionale, a është e mundur që një ditë të vendosim dhe flamurin shqiptar?” Të më ndjeni,por nuk e njihja flamurin tuaj dhe i kërkova që të ma tregonte dhe më nxori një fotografi me flamur. I thashë qenka i lezetshëm, mund të ngrihet gjithashtu aty lart dhe kështu e bëmë. Por, nga viti në vit merr gjithnjë e më shumë rëndësi e jam tepër i kënaqur kur ju shoh sepse një shesh komune shërben dhe për këto lloj mbledhjesh miqësore e festive, ku gjithsecili shkëmben njohuri dhe kalon një kohë tërësisht të këndshme”u shpreh, Philippe Pivin, kryetar i Komunës Koekelberg.

Ndër 19 komunat e Brukselit, Koekelberg është e vetmja komunë që valëvit flamurin shqiptar për ditën e Pavarësisë, një përjashtim i kryetarit Pivin për kërkesën e Vatës sepse, sipas normave, komunat respektojnë ngritjen e flamurit vetëm për festat kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Më herët gjatë pasdites, një grup i vogël përfaqësuesish të komunitetit shqiptar në Bruksel protestoi përpara Komisionit Europian dhe, sipas organizatorëve, protesta kishte për qëllim të vinte në dijeni zyrtarët e BE-së se “pa Shqipërinë etnike, nuk ka stabilitet në Ballkan”.

Ndërkohë që muzikë live me artistë të ndryshëm të ftuar nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia ofrohej në mbrëmje për të festuar përvjetorin e Pavarësisë me këngë e valle shqiptare, përkundrejt një pagese që varionte sipas rastit nga 10-20 euro.

Ambasadorja Janina ishte e pranishme në aktivitetin e organizatës jo fitim-prurës të studentëve shqiptarë në Bruksel, Vlera, të cilët kishin sjellë për këtë natë këngëtarin Alban Skenderaj, ndërsa Genta Ismajli, Noizy, Sinan Vllasaliu, Labinot Tahiri e të tjerë ishin të ftuarit alternative për dy organizimet e tjera të komunitetit shqiptar në Bruksel me rastin e festave të Nëntorit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel