Dita e dytë e Papës në Turqi, lutje e heshtur në Xhaminë Blu

29/11/2014 00:00

Me të mbërritur në Stamboll Papa Françesku hoqi këpucët dhe në krah të kryemyftiut turk u lut në heshtje në Xhaminë Blu, ashtu sikundër bëri paraardhësi i tij, Benedikti XVI në vitin 2006.

Nuk bëhej fjalë për një lutje të zakonshme. Një zëdhënës i Vatikanit tha se ishte një lutje në heshtje për 3 minuta dhe më pas kryemyftiu turk e shoqëroi Papën në ambientet e xhamisë, ku edhe diskutuan për të përbashkëtat e besimeve.

“Duhet ta adhurojmë Zotin, jo vetëm ta lavdërojmë, por edhe ta adhurojmë”, ka thënë Papa Françesku, ndërkohë që kryemyftiu turk i ka cituar një pjesë nga Kurani për të cilën që të dy besimet bien më shumë se dakort.

“Zoti është dashuri dhe drejtësi”, tha kryemyftiu duke shtuar se kjo është e përbashkët e të dy besimeve. Ky citat mori miratimin e menjëhershëm të kreut të Vatikanit. “Absolutisht që po”, u përgjigj ai.

Pas lutjes në Xhaminë Blu, Papa do t’i drejtohet muzeut të Shën Sofisë, që për 1 mijë vjet ishte katedralja më e madhe për ortodoksët, por pas pushtimit osman nga Sulltan Mehmeti II në vitin 1453 u shndërrua në xhami. Për 500 vite funksionoi si xhami, deri në vitin 1935 kur presidenti i parë turk dhe themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturk vendosi ta shndërrojë në një muze.

Të premten Papa Françesku përcolli mesazhet e para për më shumë liri fetare. Ati i Shenjtë apeloi për të ndërtuar dialog ndërfetar dhe për të luftuar fanatizmin që ka mbështjellë rajonin.

“Fondamentalizmi nxit keqkuptimin dhe diskriminim, ndaj duhet të kundërshtohet nga të gjithë besimtarët apo jobesimtarët. Dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar është një kontribut i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi fisnik”, tha Papa Françesku.

Sa i përket luftrave përtej kufirit të Turqisë në Lindjen e Mesme ai tha se Turqia duhet të krijojë politika për mikpritjen e refugjatëve. “Përveç sigurimit të asistencës është shumë e nevojshme dhe ndihma humanitare. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj këtyre tragjedive”, shtoi Papa Françesku.

Ati i Shenjtë dënoi “shkeljen e të drejtave themelore” nga ekstremistët, si dhe persekutimin e pakicave të krishtera. Turqia, ndonëse një vend me 99% të popullsisë myslimane e respektoi maksimalisht vizitën e Papa Françeskut.

Ndërkaq, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e cilësoi vizitën e përfaqësuesit më të lartë të katolicizmit, si një hap të rëndësishëm për të rritur paqen rajonale, ndërsa sa i përket masave të sigurisë, ato janë në nivele të larta kryesisht në Ankara dhe Stamboll.

Papa Françesku mbërriti në Turqi në një vizitë të konsideruar historike për të promovuar dialogun ndërfetar.  Kjo është vizita e katërt e një Pape në Turqinë me mazhorancë myslimane. Zyrtarisht Turqia është laike, ku feja është e ndarë nga punët e shtetit.

Para vizitës në Turqi, në një intervistë për mediat izraelite, Papa Françesku tha se persekutimi i të krishterëve në rajon, veçanërisht në territoret e kontrolluara nga ISIS, është në gradën më të thellë që nga gjenezat e këtij besimi.

Top Channel