32 të akuzuar për çështjen “Skrapi”

29/11/2014 00:00

Njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim superdosjen e mashtrimit me TVSH-në në industrinë e përpunimit të metaleve që llogaritet t’i ketë shkaktuar shtetit një dem prej 26 milionë dollarësh.

Në total janë 32 të pandehur, prej të cilëve 24 persona dhe tetë subjekte tatimore fantazmë, që akuzohen se janë përfshirë në skemën e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar, për një periudhë të gjatë kohe.

Prokurori i çështjes, Ardian Braho pretendon në bazë të provave se, administratorët e 8 shoqërive të regjistruara, veçanërisht në qytetin e Elbasanit, nëpërmjet personave të ndryshëm kanë kirjuar shoqëri të tjera me qëllim grumbullimin dhe shitjen e skrapit.

Këto subjekte më pas janë regjistruar në mënyrë fiktive jo vetëm në QKR por edhe organet tatimore me qëllim për të tërhequr blloqe dhe fatura TVSH-je, një aktivitet fiktiv ky që vërtetohet – thotë prokuroria – nga lëshimi i faturave tatimore të shitjes për efekt kreditimi të TVSH-së pa dërguar në fakt mallin.

Nga të akuzuarit për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve, 6 prej tyre ndodhen në arrest me burg, 6 në arrest shtëpiak, pesë me detyrim paraqitje, ndërsa 7 të tjerë nuk kanë asnjë mase sigurie.

Top Channel