Terrori në klubin e natës, pranga edhe 2 shqiptarëve

28/11/2014 00:00

Policia greke ka arrestuar dy persona të tjerë, të dy shtetas shqiptarë, të cilët janë bashkëpunëtorë të 31-vjeçarit Arbër Bako, autorit të sulmit me kallashnikov në një klub nate pranë Pireut disa ditë më parë.

Sipas kreut të policisë së qarkut të Atikës, gjeneral Panajotis Stathis, njëri prej tyre duket se është vrasës me pagesë, që ka marrë pjesë në disa akte kriminale.

Për të dy të arrestuarit, përveç faktit që janë shqiptarë, nuk dihen ende të dhëna mbi identitetin, pasi sipas policisë, përdornin rreth shtatë emra dhe epitete të ndryshme.

Ndërkohë në kërkim janë edhe shtatë persona të tjerë të këtij grupi keqbërësish të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të rënda për vrasje, tentativë vrajsjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Në deklaratën e policisë për mediat thuhet midis të tjerash se, me arrestimin e Bakos dhe dy bashkëpunëtorëve të tij janë zbardhur më në fund një vrasje në Athinë, katër tentativa vrasjeje, vjedhje dhe kërcënime ndaj një politikani, vjedhje ndaj qytetarëve të thjeshtë, të gjitha këto akte në tre muajt e fundit.

Përsa i përket Arbër Bakos është publikuar edhe dosja e tij penale, në të cilën theksohet se në 2009 ka qenë i dënuar me 7 vjet burg në Koridhalo me akuzën e vjedhjes dhe qëndrimit të paligjshëm në Greqi.

Më pas ai është dërguar në burgjet e Triakalasë, Alikarnaso, në ishullin Ko, në burgun e Domokosë dhe në gusht të këtij viti është liruar nga burgu I Malandrinos.

Mëngjesin e së premtes, nën masa të rrepta sigurie, Bako është çuar në prokurorinë e Pireut për të dëshmuar për ngjarjen në klubin e natës në Mikrolimano, ku ai terrorizoi dhjetëra persona kur qëlloi me automatik, duke plagosur edhe disa prej tyre.

Top Channel