Papa në Turqi, apel për dialog dhe tolerancë ndërfetare

28/11/2014 00:00

Në nisje të vizitës së tij treditore në Turqi, Papa Françesku përcolli mesazhet e para për më shumë liri fetare. Ati i Shenjtë apeloi për të ndërtuar dialog ndërfetar dhe për të luftuar fanatizmin, që ka mbështjellë vendin.

“Fundamentalizmi nxit keqkuptimin dhe diskriminim, ndaj duhet të kundërshtohet nga të gjithë besimtarët apo jobesimtarët. Dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar është një kontribut i rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi fisnik”, tha Papa Françesku.

Sa i përket luftrave përtej kufirit të Turqisë, në Lindjen e Mesme, Papa Françesku u shpreh:

“Turqia duhet të krijojë politika për mikpritjen e refugjatëve. Përveç sigurimit të asistencës, është shumë e nevojshme dhe ndihma humanitare. Ne nuk mund të rrimë indiferentë ndaj këtyre tragjedive”, shtoi Papa Françesku.

Ati i Shenjtë dënoi gjithashtu “shkeljen e të drejtave themelore” nga ekstremistët, si dhe persekutimin e pakicave të krishtera. Turqia, ndonëse një vend me 99% të popullsisë muslimane, e respektoi maksimalisht vizitën e Papa Françeskut. Mijëra njerëz mbushën sheshet.

Ndërkaq, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e cilësoi vizitën e përfaqësuesit më të lartë të katolicizmit, si një hap të “rëndësishëm” për të rritur paqen rajonale.

Ndërsa përsa i përket masave të sigurisë, ato janë në nivele të larta kryesisht në Ankara dhe Stamboll. Vizita e kreut të Vatikanit erdhi në një moment delikat për Turqinë, pasi Recep Tayyip Erdogan ka shtrënguar tepër pushtetin në duart e tij.

Papa Françesku mbërriti në Turqi në një vizitë të konsideruar historike për të promovuar dialogun ndërfetar. Papa u prit në aeroport nga Presidenti turk, Recept Taip Erdogan, ndërkohë që gjatë vizitës 3-ditore kreu i kishës katolike do të vizitojë edhe Stambollin ku do të takohet me kreun e kishës ortodokse.

Kjo është vizita e katërt e një Pape në Turqinë me mazhorancë myslimane. Zyrtarisht Turqia është laike, ku feja është e ndarë nga punët e shtetit, megjithatë që prej vitit 1971, shkolla teologjike ortodokse “Halki” në Stamboll qendron e mbyllur.

Njëri prej pak grekëve që kanë mbetur akoma në Stamboll, Fotis Benlisoy thotë për BBC se për minoritetet fetare po bëhet gjithnjë e më e vështirë jetesa në Turqi.

Para vizitës në Turqi, në një intervistë për mediat izraelite, Papa Françesku tha se persekutimi i të krishterëve në rajon, veçanërisht në territoret e kontrolluara nga ISIS, është në gradën më të thellë që nga gjenezat e këtij besimi.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel