Franca: 2 vjet negociata, ose do njohim Palestinën

28/11/2014 00:00

Franca ka paralajmëruar këtë të premte se do të njohë shtetin e Palestinës, nëse përpjekja e fundit ndërkombëtare për të tejkaluar grindjet mes izraelitëve dhe palestinezëve do të dështojë, duke propozuar kështu një periudhë 2-vjeçare për t’i dhënë fund konfliktit përmes një rezolute të mbështetur nga OKB.

Ligjvënësit do të zhvillojnë një votim simbolik parlamentar më 2 dhjetor, nëse qeveria franceze do të duhet të njohë Palestinën si një shtet më vete, lëvizje kjo që është konsideruar nga kryeministri izraelit si “një gabim madhor”.

“Nëse kjo përpjekje e fundit për të arritur një zgjidhje të negociuar dështon, atëherë Franca do të duhet të bëjë atë që i takon, duke e njohur pa vonesa shtetin e Palestinës. Ne jemi gati”, tha përpara Parlamentit ministri i Jashtëm, Laurent Fabius.

Votimi parlamentar ka rritur presionin vendas politik ndaj qeverisë, për të qenë më aktive në lidhje me këtë çështje. Ndërsa një sondazh popullor tregonte se 63 përqind e francezëve e mbështesin idenë e njohjes së një shteti palestinez.

Fabius u tha deputetëve se, edhe nëse ata do të miratonin mocionin, kjo gjë nuk do të ndryshonte qëndrimin diplomatik të Parisit në mënyrë të menjëhershme. Por – tha ai, – pas lëvizjeve të ngjashme në Suedi, Britani, Irlandë dhe Spanjë, Parisi nuk mund të injorojë konfliktin “pa fund”, i cili shkon kështu në favor të ekstremistëve.

“Për këtë çështje duhet të ketë mbështetje, disa mund ta quajnë edhe presion, nga komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar dy palët të bëjnë hapin përfundimtar drejt paqes”, tha Fabius.

Palestinezët kërkojnë shtetësinë e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës të goditur nga bllokada, por me kryeqytet Jeruzalemin Lindor, tokë kjo e pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Raundi i fundit i përpjekjeve për të arritur një zgjidhje dyshtetërore përfundoi pa sukses në muajin prill. Palestinezët nuk kanë më se ç’të bëjnë, veçse të shkojnë përpara drejt një formimi të njëanshëm të shtetit.

Fabius tha se Parisi po punon për të hartuar një rezolutë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, e cila nëse miratohet do të rinisë dhe do t’i përfundojë negociatat brenda 2 vjetësh.

Diplomatët thonë se Franca, Britania dhe Gjermania janë duke përgatitur tekstin e rezolutës, i cili do të përshpejtohet nëse një rezolutë tjetër e hartuar nga palestinezët – dhe që bën thirrje për dhënien fund të pushtimeve të Izraelit në nëtor të 2016-s – do të merret në diskutim.

Top Channel