Cameron prezanton reformën për emigracionin

28/11/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka prezantuar propozimin e shumëpritur të tij mbi reformën për të frenuar nivelin e emigracionit në vend.

“Emigracioni i sjell përfitime Mbretërisë së Bashkuar, por duhet të jetë i kontrolluar, i drejtë dhe i fokusuar tek interesat tona kombëtare”, ka deklaruar Cameron.

“Britanikët nuk duan emigracion pa kufij, por nuk duan as që emigracion të mos ketë. Duan një emigracion të kontrolluar dhe është pikërisht ajo çka dua dhe unë”, ka thënë ai.

Sa i përket Bashkimit Evropian, shefi i qeverisë britanike ka nënvizuar se qytetarët nuk duan një zgjidhje të rremë, ose një status kuo mes qëndrimit dhe shkëputjes, por një referendum.

“Britania e Madhe mbështet parimin e lëvizjes së lirë. Ajo ka përfitime prej saj. Pranimi i saj është jetik për të qenë pjesë e tregut të përbashkët, parim ky që nuk duam ta shkatërrojmë apo ta transformojmë.

Nëse do të rizgjidhem kryeministër në maj do të negocioj për të reformuar BE-në dhe raportin e Mbretërisë së Bashkuar me Unionin. Dhe nëse do të kem sukses do të bëj një fushatë për qëndrimin në BE, por nëse dështoj nuk përjashtoj asgjë”, ka thënë Cameron.

Në fjalimin e tij shefi i qeverisë britanike ka deklaruar gjithashtu se ndihet krenar për shumëllojshmërinë e racave që ekziston sot në Britaninë moderne.

Por ai ka shtuar se nivelet e emigracionit në vitet e fundit, që sipas tij janë më të mëdhatë në kohë paqeje, kanë vënë nën një presion të fortë shërbimet e sektorit publik.

Top Channel