SHBA, protesta të afro-amerikanëve për vrasjen e një adoleshenti

26/11/2014 00:00

Protestat kundër vendimit të gjykatës në Ferguson për të nxjerrë të pafajshëm policin e bardhë që vrau para disa javësh një adoleshent me ngjyrë, janë përhapur me shpejtësi në shumë qytete amerikane.

Nga Nju Jorku e deri në Siatle mijëra amerikanë dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin, të cilin e quajnë si të padrejtë. Përgjithësisht marshimet ishin paqësore, përjashto këtu zonat periferike të Fergusonit dhe në Okland të Kalifornisë.

Qyteti ku ndodhi vrasja që prej të hënës, kur gjykata dha vendimin është përfshirë nga protesta të dhunshme. Situata është parë si një mundësi e mirë për ata që mediat amerikane i quajnë “oportunistë”. Të fshehur mes protestuesve ata shfrytëzuan situatën për të grabitur dhjetra dyqane.

2200 trupa të Gardës Kombëtare janë zhvendosur në Ferguson për të parandaluar aktet e vandalizmit dhe vjedhjeve.

18-vjeçari me ngjyrë, Michael Brown u qëllua 12 herë nga oficeri i policisë, Darren Wilson. Për avokatët e familjes Brown, Wilson ka qëlluar pa qenë i kërcënuar prej adoleshentit, por vetë oficeri thotë se para se të shkrepte armën ka patur një përleshje fizike me të riun.

“Kam ndërgjegjje të pastër. Bëra ashtu siç duhet detyrën time”, deklaroi ai për rrjetin televiziv amerikan, ‘ABC News’.

Ndërkohë, nga Çikago presidenti Obama pasi dënoi dhunën e protestuesve, e cila tha ai, nuk ka asnjë justifikim dhe shtoi se i ka kërkuar kryeprokurorit Eric Holder që të bëhet gjithçka për të rikthyer besimin e amerikanëve tek drejtësia.

“Rasti në fjalë nuk është problem vetëm për Fergusonin, është një problem mbarë amerikan. Në komunitetin me ngjyrë ka një perceptim se ligjet nuk janë të barabarta për të gjithë amerikanët”, tha Obama.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel