NATO nuk synon një “zonë ndalimfluturimi” në Siri

26/11/2014 00:00

NATO nuk është duke marrë në konsideratë përcaktimin e një “zone ndalimfluturimi” në Sirinë veriore, diçka për të cilën ka bërë thirrje të vazhdueshme Turqia, në mënyrë që të zbuten presionet humanitare dhe të sigurisë në kufijtë e saj juglindorë.

Lajmi është bërë i ditur nga një Gjeneral i lartë i aleancës, edhe pse Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, është vendi pritës i Komandës Tokësore (LANDCOM), që është ngarkuar me përmirësimin e efektivitetit dhe kohën e përgjigjes së forcave tokësore të aleancës.

Turqia nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare ndaj NATO-s për ndihmë në caktimin e një “zone ndalimfluturimi”, por gjithsesi ka thënë në mënyrë të përsëritur se vendet e gatshme duhet ta caktojnë diçka të tillë për të krijuar zona të sigurta në Siri, për të lejuar rreth 1.6 milionë refugjatë sirianë të riatdhesohen.

“Zona e ndalim fluturimit është një sipërmarrje në kushte më intensive, ndaj dhe nuk jemi duke e konsideruar atë në rrethanat aktuale”, tha John Nicholson, kreu i ri i Komandës Tokësore, gjatë një interviste të dhënë në selinë e LANDCOM në qytetin bregdetar të Turqisë, Izmir.

Planet e Ankarasë për të caktuar të ashtuquajturat “zona të sigurta”, me mbrojtje ajrore si pjesë përbërëse kyçe, kanë hasur në një pritje të ftohtë nga shumë vende aleate. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, shprehu gjatë kësaj jave mbështetjen për këtë ide, por tha se “duhen bindur shumë më tepër njerëz”.

Ekspertë ushtarakë thonë se diçka e tillë do të kërkonte edhe marrëveshje me qeverinë siriane, apo shfrytëzimin e sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore të Damaskut. Një lëvizje e tillë do të rrezikonte përfshirjen e mëtejshme të fuqive perëndimore në luftën 3-vjeçare civile të Sirisë, si dhe të irritonte aleatët e Presidentit Bashar al-Assad, Rusinë dhe Iranin.

Për t’i komplikuar edhe më tej gjërat, Assad është duke përdorur sulmet ajrore të SHBA-ve si mbulim të fushatës së vet ajrore kundër rebelëve sirianë, duke goditur fortesën e Shtetit Islamik (Raqqa) në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e ushtarëve sirianë nga grupi ekstremist.

Mosmarrëveshjet për një “zonë ndalimfluturimi” janë bërë shkak për dallimet edhe më të gjera mes Turqisë dhe aleatëve perëndimorë të saj, mbi mënyrën se si mund të ndalet shpërhapja e destabilitetit në Lindjen e Mesme.

Top Channel