Portugali, gjykatësi lë në burg ish-kryeministrin

25/11/2014 00:00

Ish-kryeministri portugez i qendrës së majtë, Jose Socrates do të qëndrojë në paraburgim për akuzat e korrupsionit dhe evazionit fiskal. 57-vjeçari u ndalua të premten pas kthimit nga Parisi dhe që atëherë ka kaluar tre netë në burg.

Vendimi i gjykatës për mbajtjen e tij nën vëzhgimin e policisë erdhi pas verifikimit që hetuesit i bënë disa transfertave të parave dhe operacioneve të tjera të dyshimta bankare. Socrates, i cili nuk i pranon akuzat, po hetohet bashkë me shoferin personal, njëkohësisht mik i ngushtë i tij.

“Në këndvështrimin tim, ky është një vendim totalisht i padrejtë dhe i pajustifikuar. Normal që si avokat mbrojtës unë këtë duhet të thoja, por ju siguroj se pohimi im është tepër i sinqertë dhe nëse klienti nuk më jep udhëzime për të ndjekur ndonjë rrugë tjetër, atëherë unë do ta çoj çështjen në apel”, deklaroi avokati mbrojtës, Joao Araujo.

Kjo është hera e parë gjatë demokracisë në Portugali që një ish-kryeministër përfundon në pranga. Arrestimi i ish-kreut të ekzekutivit pason disa ndalime të tjera të profilit të lartë, të cilat kanë bërë jehonë të madhe në mbarë vendin, i njohur për ngadalësinë e sistemit të drejtësisë, e të perfshirë sot nga një intensifikim i luftës kundër korrupsionit.

Socrates ka shërbyer si kryetar qeverie nga viti 2005 deri në 2011-n. Sipas sistemit portugez, aktpadia zyrtare ngrihet vetëm në fund të procesit hetimor i cili mund të zgjasë deri në 8 muaj.

Arrestimi i tij erdhi në një moment kur politika vendase ende nuk e kishte marrë veten nga skandali i ministrit të Brendshëm, Miguel Macedo, i cili dha dorëheqjen pas një hetimi për korrupsion mbi dhënien abuzive të lejeve të qendrimit.

Top Channel