Franca pezullon dërgimin e anijeve luftarake për Rusinë

25/11/2014 00:00

Franca pezulloi pa afat dërgimin anijeve luftarake helikopter-mbajtëse
të porositura nga flota detare ushtarake ruse si pjesë e një
marrëveshjeje mes dy vendeve të nënshkruar në vitin 2011.

Anija ushtarake “Vladivostok” duhej t’i dorëzohej flotës ruse në muajin tetor, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur mes Moskës dhe Parisit kur president ishte Nicolas Sarkozy. Sipas kësaj kontrate, Rusia porosit dy anije luftarake të fjalës së fundit të teknologjisë me një vlerë prej 1.2 miliard euro.

Në muajin shtator, Franca pezulloi dërgimin e anijes së parë pas presionit të aleatëve perëndimore duke justifikuar vendimin e saj para Moskës si “mungesë e kushteve të favorshme për diçka të tillë”.

Kur u nënshkrua kontrata marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Moskës ishin të mira, por me përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë, dhe sidomos me aneksimin e njëanshëm nga ana e Rusisë të Krimesë, gjërat kanë ndryshuar dhe për shumë analistë është rikthyer “Lufta e Ftohtë”.

Bashkimi Europian deklaron se dy anijet mund të përdoren nga Rusia për të kërcënuar fqinjët e saj.

Dy anijet helikopter-mbajtëse mund të transportojnë në bordin e tyre 16 helikopterë të përmasave luftarake, gjuajtës dhe transportues.

Top Channel