SHBA, policia vret 12-vjeçarin për një pistoletë lodër

24/11/2014 00:00

Një tjetër adoleshent me ngjyrë bie viktimë e breshërisë së plumbave të policisë amerikane. Episodi i fundit që shkakton indinjatë në SHBA është vrasja e një fëmije afro-amerikan vetëm 12 vjeç në Klivland, i qëlluar për vdekje në një kënd lojërash ndërsa mbante në dorë një pistoletë lodër.

Justifikimi i forcave të rendit është se djali nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të ngritur duart lart. Patrulla e policisë kishte nxituar për në vendngjarje pas një thirrjeje në numrin e emergjencave 911. Por, disa dëshmitarë pretendojnë se ai që telefonoi e kishte përmendur mundësinë e një pistolete të rreme e kishte folur për moshën tepër të re të personit që ja drejtonte armën plastike njerëzve duke e cilësuar edhe si “të zi”.

Policia këmbëngul se të tilla informata nuk i ka marrë. Njëri nga policët e përfshirë në incident kishte 10 vjet eksperiencë pune, ndërsa tjetri i ishte bashkuar forcave lokale prej më pak se një viti. Që të dy janë pezulluar përkohësisht nga puna deri në përfundim të hetimit. Autoritetet e identifikuan 12-vjeçarin si Tamir Rice. Fëmija u qëllua me dy plumba në bark pasditen e së shtunës e ka ndërruar jetë në spital të dielën.

Vetë zv/shefi i policisë së Klivlendit, Ed Tomba, pohoi se djali nuk ka bërë asnjë kërcënim verbal e as ia ka drejtuar armën agjentëve të policisë.

Top Channel