Maurizio Arrivabene, shefi i ri i Ferrarit

24/11/2014 00:00

Ferrari ka njoftuar ditën e hënë se Maurizio Arrivabene do të jetë shefi i ri i skuderisë, pozicion që mbahej nga Marco Mattiacci.

Arrivabene, i cili vjen nga Phillip Morris, një nga sponsorët kryesorë të Ferrarit, është shefi i tretë i “Kokëkuqes” brenda 6 muajve. Në prill ishte Stefano Domenicali ai që u largua për t’u zëvendësuar nga Mattiacci.

“Kemi vendosur që të emërojmë Maurizio Arrivabenen sepse në këtë moment historik për Skuderinë dhe Formulën 1 kemi nevojë për një person që të njohë Ferrarin dhe mekanizmat e këtij sporti”, shpjegoi presidenti i Ferrarit, Sergio Marchionne.

Maurizio Arrivabene bëhet shefi i ri i Ferrarit pa u mbushur 24 orë nga përfundimi i Botërorit 2014 të Formulës 1, ku njëvendëshja e kuqe përfundoi në vendin e katërt të klasifikimit të Konstruktorëve, duke mos fituar asnjë garë, gjë që nuk kishte ndodhur që nga viti 1993.

Top Channel