Kina ndërton ishull për “të zaptuar” detin

24/11/2014 00:00

Për të legjitimuar pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore, Pekini është duke ndërtuar një ishull që mund të shfrytëzohet si bazë ushtarake në rajon.

Imazhet satelitore kapën më 14 nëntor të këtij viti fragmente nga puna për ndërtimin e ishullit, ku një masivi shkëmbor po i shtohen me shpejtësi marramendëse sipërfaqe terreni dhe puna vazhdon.

Deri më tani ishulli artificial është rreth 3 kilometra i gjatë dhe 200-300 metra i gjërë. Përmasat e bëjnë të pabanueshëm për civilë, por janë perfekte për ndërtimin e një bazë ushtarake, ajrore dhe detare.

Pozicioni ku po ngrihet ky ishull ndodhet në ujërat territoriale ku sovranitetin e pretendojnë disa shtete. Kina, Brunei, Vietnami, Tajvani, Malajzia dhe Filipinet janë të gjitha vende të përfshira në këtë konflikt diplomatik.

Zona njihet për pasurinë nënujore dhe përdoret gjërësisht për peshkim, por veç kësaj dyshohet se është strehë e miliarda dollarëve pasuri nëntokësore gaz e naftë.

Analistët ndërkombëtarë thonë se Kina po shfrytëzon supremacionë e vet në krahasim me vendet e tjera dhe lëvizja shikohet si përpjekje për t’i garantuar Pekinit një pozicion më të rehatshëm në bisedimet shumëpalëshe për këtë territor, gjithmonë nëse këto bisedime do të mbahen ndonjëherë.

Top Channel