Shkodër, aksident me 3 viktima dhe një të plagosur

23/11/2014 00:00
Foto arkiv

Një fuoristradë me targë TR 8145P, në të cilin udhëtonin 4 persona, ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Karmë, duke përfunduar në një greminë 100 metra poshtë rrugës.

Për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Elidon Druri, 23 vjeç dhe Agim Kasemi, 32 vjeç, ndërsa u plagosën rëndë shtetasit Artan Bajrami, 32 vjeç dhe Edmond Kola 23 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.Fatkeqësisht gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak 32 vjeçari Artan Bajrami, i cili nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra në aksident.

Personat e përfshirë në këtë aksident tragjik po udhëtonin nga Komani në drejtim të Shkodrës dhe ishin punonjës të sigurisë në hidrocentralin e Komani.

Menjëherë banorë të zonës kanë lajmëruar policinë dhe brenda pak minutash kanë mbërritur në vendin e ngjarjes forca të shumta të policisë, zjarrfikëseve dhe një helikopter i Ministrisë së Shëndetësis që ka transportuar të plagosurit për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Për shkak të deformimit që ka pësuar automjeti nga rënie në greminë është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve për të nxjerrë dy trupat, të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit. Nga dëshmitë që kanë dhënë banorë të zonës mësohet se automjeti në fillim është përplasur me një skarpat mali dhe më pas ai ka dalë jashtë kontrollit duke përfunduar në greminë.

Nga hetimet paraprake, grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka ngritur dyshime se automjeti mund të ketë rrëshqitur për shkak të ngricave që krijohen gjatë natës, kjo e provokuar dhe nga shpejtësia e lëvizjes që mund të ketë pasur automjeti . Gjithashtu sipas policisë, shkak mund të jetë bërë dhe ndonjë defekt në sistemin e drejtim .

Top Channel